Holandezët mbyllin vizitën: Dëshmuam vullnet për kryerjen e reformave

Vizita e dy deputetëve të Dhomes së Ulët të Parlamentit holandez, Hayke Vledman dhe Anne Mulder, pak kohë pasi Parlamenti votoi pro pezullimit të lëvizjes së lirë për shqiptarët, rriti interesin mbi qëndrimin që ata do te mbanim, pas takimit me aktorët e politikës dhe shoqërisë civile në vend.

Në konferencën për gazetarët në përmbyllje të vizitës, Anne Mulder, raportues në Komisionin e Çështjeve Europiane, u kujdes të saktësonte se qëllimi nuk ishin vizat. “E dimë se çështja e votimit të Parlamentit holandez ka tërhequr shumë vëmendjen në Shqipëri. Ky nuk ishte qëllimi i vizitës dhe nuk ishte as çështje qe e trajtuam gjerësisht në takime. Jam i sigurt se kjo çështje do jetë në agjendë në takimet që do kenë përfaqësues të Kuvendit shqiptar në Holandë në fund të këtij muaji”, tha ajo.

Dy deputetët e Partisë së Liberale në pushtet kishin mision vlerësimin e përmbushjeve të kritereve të vendosura nga Bashkimi Europian, për integrimin e Shqipërisë në Union. Deputetët u shprehën me nota vlerësuese për përpjekjet e autoriteteve në këtë drejtim. “Dëshmuam dëshirë të madhe nga ana e autoriteteve shqiptare për plotësimin e kritereve kyçe të vendosura nga BE. i urojmë Shqipërisë çdo sukses të mundshëm në zbatimin e reformave”, shtoi Mulder.

Deputetët u takuan me Kryeministrin Rama, kreun e opozitës Basha, ministrin e Jashtëm Cakaj dhe atë të Drejtësisë Gjonaj. Një raport për vizitën dyditore do të realizohet nga raportuesi Anne Mulder dhe do të publikohet më vonë gjatë muajit.

Shkarkoni aplikacionin e A2