LANÇ, Tufa: Krimet e komunizmit s’e hedhin poshtë luftën

Drejtori ekzekutiv i Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit, Agron Tufa, është përfshirë nga debate dhe replika të shumta, por cili është qëndrimi i tij për Luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare?

Ai ishte “I Ftuari” i Endri Xhafos në A2CNN, nga ku u shpreh se krimet e komunistëve gjatë luftës nuk hedhin poshtë luftën, por tha se ajo duhet të pastrohet.

“Lufta është e shenjtë, por po ashtu ka aspekte të pafundme mashtrimesh. Megjithatë, krimet e komunistëve gjatë luftës nuk hedhin poshtë luftën. Ajo është e shenjtë, por duhet të pastrohet. Ne nuk duhet të mbesim me të vetmin perceptim, me të vetmen bibël të kuqe të historianëve ish-komunist. Luftën e kanë bërë disa formacione antifashiste. Filloi me çetat e Ballit Kombëtar dhe partizane, por më 1939 e kanë nisur legalistët.

Teksa u pyet nëse hedh njollë morale, lufta civile që filloi nga 1943 e mbrapa me luftën antifashiste të partizanëve, ai u shpreh: “Partizanët nuk janë komunist, ndonëse udhëheqja shtabet janë komunist. Ne duhet të rrëzojmë disa përfytyrime të gatshme, propagandistike dhe duhet të kontestojmë dhe në këtë proces jemi shumë të vonuar. Kanë qenë 70 mijë, më shumë apo më pak? Është një gjë krejt e mundshme. Kanë qenë 28 mijë dëshmorë, më pak apo më shumë? Ne kemi kaluar nëpër një 45 vjeçar propagandistik. Problemi është të filloi një studim real dhe gjakftohtë”.