Rivotimi në Stamboll, dënohet ashpër nga opozita e mbështetësit e saj

Rivotimi në Stamboll dënohet ashpër nga opozita e mbështetësit e saj. Komisioni shtetëror i zgjedhjeve në Turqi po përballet me kritika të ashpra, për faktin se urdhëroi rivotim në qytetin e Stambollit, pas fitores së opozitës në muajin mars.

Partia AKP e Presidentit Recep Tayipp Erdogan ngriti pretendime për parregullsi dhe korrupsion, pas fitores me diferencë të lehtë të Partisë Popullore Republikane CHP. Lideri i kësaj të fundit, Ekrem Imamoglu, i konfirmuar Kryebashkiak i Stambollit në muajin prill, e cilësoi vendimin si të pabesë.

“Ata mund të kenë siguruar një vendim për të fituar 40 deri në 50 ditë kohë për të mbuluar pisllëkun e tyre; por më lejoni t’ju them se ne do të rifitojmë të drejtat tona me buzëqeshje në fytyrë, shpresë, dashuri dhe respekt”, u shpreh ai.

Një përfaqësues i AKP në bordin elektoral, tha se vendimi për rivotim ishte marrë pasi disa zyrtarë zgjedhorë nuk ishin punonjës civil dhe se disa prej dokumenteve me rezultatet nuk ishin firmosur.

“Vendosëm që votimi të mbahet në 23 qershor në mënyrë që të mos e zgjasim këtë periudhë dhe ta çlirojmë Turqinë nga zgjedhjet sa më shpejt të jetë e mundur”, tha Recep Ozel, përfaqësues i AKP.

Votimi nxiti protesta në qytet. Qindra banorë u mblodhën në zona të ndryshme të Stambollit duke përplasur tenxhere e tiganë e duke thërritur slogane anti-qeveritare. Në një reagim, Parlamenti Europian pohoi se vendimi për rivotim do ti jepte fund kredibilitetit për zgjedhje demokratike në Turqi.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN