Haradinaj: Thaçi, Rama dhe Vucic diskutuan për ndarjen e Kosovës

Ideja e korrigjimit të kufijve është mbyllur në Berlin. Deklarata vjen nga kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, i cili në një tryezë me temë “Dialogu Kosovë -Serbi pas Samitit të Berlinit”, lëshoi akuza të forta nën hijen e dyshimeve ndaj Kryeministrit Rama, presidentëve Thaçi dhe Vuçiç. “Ekziston një dyshim i bazuar, që zoti Vucic, zoti Thaçi dhe zoti Rama kanë pas diskutime lidhur me ndarjen e Kosovës. Ekziston ky dyshim, nuk mund ta konfirmoj, por mendohet se është bërë nën mbikëqyrjen e zonjës Mogherini”.

Shefi i Qeverisë së Prishtinës theksoi më tej se ideja e korrigjimit të kufijve çon në luftë, dhe sipas tij, mbështetësit ishin në dijeni të këtij fakti. “Ju siguroj që kushdo që thotë se përmes lëvizjes së kufijve ose rikorrigjimit të kufijve arrihet paqja, e di që arrihet lufta dhe tragjeditë”, shtoi Haradinaj.

Për kufijtë në këtë tryezë foli edhe ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Jean Hubert Lebet, i cili tha se ndryshimi i tyre nuk është asnjëherë zgjidhje e problemeve.