Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 60%
  • Zonat malore 20%
  • Qendrat historike 20%

Jeta në Bulqizën “e helmuar”

Nga A2 CNN
8 Maj 2019, 14:36 | Sociale

Nëntoka e pasur me krom, asnjëherë nuk i ka shërbyer Bulqizës së varfër, ngritur mbi galeri. Nëpër rrugët e këtij qyteti ndesh gra dhe fëmijë, ndërsa burrat punojnë nëntokë, në thellësitë e galerive për nxjerrjen e kromit. Nga aty, del buka e përditshme për familjet e minatorëve, por jo rrallë edhe vdekja.

Bulqiza tronditi sërish. Për fat nuk kishte humbje jete në galeri, por shenja helmimi te banorët dhe fëmijët e lagjes së ngritur mbi minierë. Dyshimet e para u hodhën mbi ujin e pijshëm ndaj dhe u njoftua mos konsumimi i tij deri në një lajmërim të dytë.

Në thellësitë e galerive janë edhe burimet e ujësjellësit prej nga furnizohet lagjja e vjetër. Me vështirësi mund të hysh në shtëpitë e banorëve, jo se i druhen varfërisë, por teksa flasin për ujin, nuk duan të prekin minierën pasi aty kanë të lidhur jetën, bukën e fëmijëve, thonë gratë.

Sipas analizave të para rezultoi se uji nuk ka ndotje bakteriologjike. Tashmë priten edhe analizat kimike për të verifikuar nëse uji ka përmbajtje elementësh kimikë e metalesh të rënda, apo helmimi i 144 banorëve ka pasur shkak tjetër.

E ndërsa përgjigjet priten nga institucionet në Tiranë, në Bulqizën e varfër jeta rrjedh ndryshe. Miniera është problem dhe zgjidhja e banoreve është jeta dhe vdekja.

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani