Ku ruhen dosjet e “drejtësisë”?

Shpërndarja e arkivës së ish-Sigurimit të Shtetit në institucione, ka qenë shpesh argumentimi i vonesave që autoriteti ka pasur në zbulimin e emrave të bashkëpunëtorëve të sigurimit. Së shpejti, të gjitha dosjet do të vendosen në godinën e re të autoritetit te drejtuar nga Genta Sula, pranë ministrisë së Mbrojtjes.

Pas reformës në drejtësi u bë taksative që njerëzit që emërohen në organet kryesore te sistemit t’u verifikohet e shkuara personale e profesionale para viteve ‘90. Ndaj rasti që ngjalli më shumë debat ishte ai Bujar Sheshit, anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Autoriteti njoftoi se ai figuronte në dosjet e sigurimit, pak muaj  pasi ai u zgjodh në institucionin e rëndesishëm të akuzës. Sheshi e dërgoi çështjen në gjykatë.

Një vit më herët, një tjetër kandidat, Kozma Jano, u denoncua nga Partia Demokratike dhe shumica e skualifikoi nga gara për KLP. Demokratët kanë denoncuar dhe emra të tjerë. Së fundmi ata publikuan dhe emrat e disa ish-bashkëpunëtorëve të pretenduar të Sigurimit të Shtetit që po rikthehen në nivele drejtuese.

Nga ana e saj, shumica shprehet e gatshme të pastrojë institucionet. Por mesa duket vullneti mbetet vetëm në nivel deklaratash. Pasi për garën më të afërt, atë për Bashkitë, asnjë nga partitë nuk ka kërkuar informacion për njerëzit që dëshiron të kandidojë.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN