Papa në Ballkan, vizita në memorialin e Nënë Terezës, më e veçanta

Vizita në memorialin e Nënë Terezës në Shkup dhe takimi me murgeshat e urdhrit të themeluar prej saj, ishte momenti më mbresëlënës i qëndrimit 3 ditor të Papa Françeskut në Bullgari e Maqedoninë e Veriut. Këtë e tha vetë kreu i miliona katolikëve në botë, gjatë një interviste në bordin e avionit papnor, teksa kthehej për në Romë.

“Të shihje murgeshat që kujdeseshin për të varfrit me aq kujdes e butësi, ishte e mrekullueshme. Atje gjeta përkujdesjen mëmësore të Kishës dhe falenderoj Maqedoninë e Veriut, për faktin që ka një thesar të tillë në qytetin e Shkupit”, u shpreh Papa Françesku.

Papa përmendi gjithashtu eksperiencën e Mëshës së Shenjtë në Kishën e Zemrës së Krishtit në Bullgari. Janë dy vende totalisht të ndryshme, ishin fjalët e Papës.

Bullgaria, sipas tij, është një shtet me tradita qindra vjeçare, ndërsa Maqedonia është një shtet më i ri, me popullsi të re. Ai vlerësoi marrëdhëniet e mira mes besimeve fetare dhe respektin për diversitetin.