Pasurimi i uraniumit do të rritet, Irani tërhiqet pjesërisht nga marrëveshja bërthamore

Irani pezullon përkushtimet kyçe të marrëveshjes bërthamore ndërkombëtare të 2015, një vit pasi ky pakt u braktis nga Shtetet e Bashkuara. Presidenti Hassan Rouhani tha se do të vijojë me pasurimin e uraniumit dhe se nuk do ta shesë atë.

“Qëllimi ynë është shumë i qartë. Populli duhet të dijë se nuk jemi larguar nga marrëveshja bërthamore. Pakti qëndron në fuqi, por ne sot do të tregojmë anën tjetër të medaljes. Pavarësisht se palët e tjera nuk po përmbushin obligimet marrëveshja po qëndron, prandaj dhe ne kemi vendosur që të ulim detyrimet tona”, u shpreh Hassan Rouhani, president i Iranit.

Pakti bërthamor synon të ulë ambiciet nukleare të Iranit në këmbim të lehtësimit të sanksioneve.

Tensionet mes Teheranit dhe Uashingtonit janë rritur pas braktisjes së marrëveshjes, të arritur në vitin 2015 bashkë me fuqitë e mëdha botërore. Për veprimin e fundit, Irani njoftoi Francën, Gjermaninë, Rusinë, Kinën dhe Mbretërinë e Bashkuar.

Në kundërpërgjigje, Parisi paralajmëroi se një vendim i tillë mund të ketë pasoja serioze dhe një rikthim të mundshëm të sanksioneve. Ndërkaq, edhe Kina bëri thirrje për respektimin e plotë të paktit.

Shkarkoni aplikacionin e A2