Siguria ushqimore, kush rrezikon 15 vite burg?

Sot jemi të pasigurt për ushqimet që blejmë dhe konsumojmë. Vazhdimisht është dhënë alarm nga konsumatorët për abuzime të ndryshme me produkte vendase, por edhe të importuara.

Por pas shumë e shumë vitesh, vetëm tani qeveria ka vendosur të reagojnë dhe të paralajmërojë ndryshime ligjore me 15 vjet burg për ata që abuzojnë me cilësinë ushqimore e rrezikojnë jetën dhe shëndetin e të tjerëve.

Kjo nismë u diskutua në “A2 Business Week”. Filip Gjoka, kryetari i Shoqatës së Bimëve Aromatike dhe Medicinale, thotë se kjo nismë është e vonuar, ndërsa shton se ka edhe rrezik.

“Do të thosha që kjo temë mund të dëmtojë edhe prodhimin vendas, duke i hapur rrugë importit. Megjithatë, unë e mbështes nismën, madje është e vonuar. Situata është krijuar gjatë 27 vitesh duke mos u vendosur në binarët e duhur”, u shpreh Gjoka.

Por kush rrezikon 15 vite burg? “Masa është e lidhur me varësinë e dëmit që shkaktohet. Kur nga vepra penale është shëndetit ose vdekja e disa personave, dënohet me burgim nga 10 deri 15 vjet burg. Ka edhe disa masa të tjera shtesë. Gjurmueshmëria është një nga metodat që përdoret edhe nga vende të tjera”, u shpreh Ermira Gjeçi, zëvendësministre e Bujqësisë.

Ndërkohë, Artur Dojaka, “Natural Farming”, thotë se AKU duhet të jetë jashtë politikës. “Masa vlen si për çdo aktivitet tjetër. Nëse cenon atëherë burg patjetër. Por këtu duhet të ndryshojë sistemi. Unë mendoj se AKU ka nevojë për ristrukturim dhe mendoj se duhet të jetë jashtë politikës”, u shpreh Artur Dojaka.