Zogaj: PD të shkojë në zgjedhje pa marrëveshje, sondazhet i ka në favor

I ftuar në studion e Ditarit në A2 CNN, analisti Preç Zogaj, ka një zgjidhje për situatën në të cilën ndodhet vendi, të cilën madje thotë se ia ka propozuar edhe partive opozitare.

“Palët duhet të heqin dorë nga kushtet e panegociueshme, sepse kështu do të përplasemi me një të panjohur siç është zhvillimi i zgjedhjeve pa opozitën. Unë i kam sugjeruar Partisë Demokratike që të shkojë në zgjedhje pa marrëveshje, i ka sondazhet në favor, bashkë me LSI dhe PDIU dhe nëse konstaton probleme të largohet ditën e zgjedhjeve. E gjithë vëmendja, edhe e ndërkombëtarëve do të jetë aty në atë ditë”, tha Zogaj. “Por për ta bërë këtë duhet të konsultohen me zgjedhësit dhe t’ua thonë të vërtetën. Partitë nuk janë konsultuar me zgjedhësit për djegien e mandateve, e kanë marrë vetë”.

Zogaj pranon se situata politike është në pikën më të keqe që ka qenë ndonjëherë, kjo edhe për faktin që faktori ndërkombëtar po qëndron mënjanë. “Edhe më parë kemi pasur kriza, ku palët janë pozicionuar në llogore për shumë kohë, por ka qenë faktori ndërkombëtar që ka hedhur urat. Kësaj radhe edhe ambasadori i BE, Soreca, tha që ne nuk do të ndërmjetësojmë për momentin. Po ashtu edhe Shtetet e Bashkuara”, tha ai. “Kjo është situatë e paprecedentë, sepse nëse herën e kaluar pati një ndërhyrje në fund të ndërkombëtarëve, ndërsa këtë herë mendoj që po e lënë që të zhvillohet kjo lloj krize. Mendojnë se i kanë mësuar keq, pas 27 viteve demokraci”.

I pyetur a do të kenë parti të tjera opozitare përfitime nga qëndrimi i PD dhe aleatëve të saj larg zgjedhjeve, Zogaj u përgjigj: “Në këto zgjedhje nuk mendoj se do të kenë rezultat, por një grup i partive opozitare të vogla mund të përfitojnë. Nëse Partia Demokratike nuk hyn në zgjedhje, besoj se Bindja Demokratike do të fitojë vota të konsiderueshme, pasi një pjesë e votuesve të opozitës nuk janë dakord me djegien e mandateve”.