Papa Françesku, ligj kundër abuzimeve seksuale

Papa Françesku prezantoi ndryshime në ligjet e Kishës Katolike, në mënyrë që peshkopët të mbajnë përgjegjësi për abuzimet seksuale apo për mbulimin e tyre.

Ati i Shenjtë e bën të detyrueshëm për klerikët që t’i raportojnë rastet dhe do të lejojë çdokënd që të ankohet drejtpërdrejtë në Vatikan, nëse është e nevojshme.

Dekreti Papnor, i cili mbulon abuzimet me minorenët dhe të rriturit, obligon gjithashtu dioqezën Katolike në botë që të vendosë një shembull dhe qasje në sistemet e raportimit.

Ndër të tjera, nxit kishat lokale që të përfshijnë dhe të ndihmojnë ekspertët në hetime. Dekreti, që u përgatit gjatë prillit, është vendimi i dytë i ndërmarrë që prej samitit të shkurtit në Vatikan për abuzimet e zyrtarëve të Kishës Katolike.

Ligj i aprovuar nga Papa Françesko vendosë limite kohore për hetimet lokale dhe për përgjigjen e Vatikanit. Gjithashtu kërkon që peshkopët që kanë konflikt interesi të qëndrojnë larg hetimeve. Dekreti me 19 artikuj është quajtur “Ju Jeni Drita e Botës”.