Rivendosen shkronjat në fasadën e godinës së Teatrit Kombëtar

Pas një heshtjeje të gjatë, një mbrëmje, godinës së teatrit kombëtar i hoqën shkronjat. Ndërtesa u zgjua pa to. “Thjesht u vodhën natën, si hajna, nga bashkia, duke shkelur ligjin, dhe ne i vendosëm përsëri në mes të ditës. Kjo është diferenca mes nesh dhe tyre”, thotë aktori Neritan Liçaj.

Ata që rikthehen çdo ditë aty për ta mbrojtur, artistë dhe njerëz të thjeshtë, ata që sot janë pjesë e aleancës për mbrojtjen e tij, vendosën t’i rikthenin të njëjtën pamje ndërtesës. “U mblodhëm të gjithë qytetarët dhe na thanë që të mblidhnim fonde. Me këtë simbolikë do të tregojmë se mund të mbledhim fonde edhe për ta restauruar teatrin”, thotë regjisori Robert Budina.

Po kush i hoqi shkronjat, kush duhet të mbante përgjegjësi dhe çfarë thuhet zyrtarisht? Ministrja e kulturës, Margariti, i fton të gjithë në ministrinë e saj, për diskutim teksa pyetet në një aktivitet në Universitetin e Arteve se si e komenton këtë ngjarje. “Flasim për disa germa që hiqen, vihen, mistere, përgjegjësi, ministria se sa është përgjegjëse për një shkronjë, apo jo, është vërtet përtej politikës, është thjesht për të bërë një lajm sensacional”, thotë ministrja Margariti.

“Ishte detyrë e të gjitha institucioneve, e Prokurorisë, që të hetonte, e firmës që merret me sigurinë e godinës, e ministrisë. Të gjitha institucionet heshtën. Dje kur morën shuplakën e rëndë nga ana jonë, doli ministrja dhe thotë që po binin germat. Pse nuk i hetojnë, kush i mblodhi germat”, thotë Liçaj.

Mëngjesin e së mërkurës ndërtesa kishte të shkruar si prej vitesh “Teatri Kombëtar”.

Shkarkoni aplikacionin e A2