Shkullaku: Nëse Rama shkon vetëm në zgjedhje, rrezikohet konfrontimi civil

Gazetari Armand Shkullaku ishte “I Ftuari” i Endri Xhafos këtë të enjte, nga ku komentoi situatën politike në vend.

Teksa foli për zgjedhjet lokale të 30 qershorit, Shkullaku u shpreh se zgjidhja është në “dorën” e Ramës. Ai thekson se nëse PS do të shkojë në zgjedhje, atëherë vendi rrezikon të shkojë në konfrontim civil.

“Koha është në varësi të reflektimit që do të ketë kryeministri në varësi të kërkesave të opozitës. Opozita mund të jetë e “çmendur” dhe nuk do të hyjë në zgjedhje. Atëherë vendimi që duhet të marrë kryeministri duhet të jetë i tillë që meqenëse kam mbështetje, meqenëse jam i qetë, do hyjë në zgjedhjet e 30 qershorit i vetëm apo jo. Nëse do të hyjë, atëherë duhet të llogarisë që një vendim i tillë mund të çojë dhe në konfrontim civil.

Ai ka ardhur në pushtet me shprehjen e famshme: Jam i gatshëm të sakrifikoj pushtet për të bërë shtet. Nëse është i gatshëm të sakrifikojë pushtet, le të emërojë një qeveri tranzitore dhe kryeministrin e ri ta zgjedhë PS”, u shpreh Shkullaku.