Shkullaku: Shqipëria, vend i falimentuar, Ramën e shkatërron një pyetje

“Edi Rama thotë kam bërë shumë, por mjafton vetëm një pyetje që e shkatërron. Më thuaj një investim të madh që ke sjellë në Shqipëri në 6 vite?”

Kështu u shpreh Armand Shkullaku në emisionin “I Ftuari” të Endri Xhafos, teksa komentoi situatën politike në vend dhe qeverinë “Rama”.

Ai shkoi edhe më tej, duke thënë se Shqipëria është vend i falimentuar. “Problemi real në vendin tonë nuk është se dolën disa njerëz në rrugë. Të tilla situata ka në çdo vend. Një investitor i huaj që kërkon të bëjë një projekt të madh, nëse nuk kalon nga një sekretar i përgjithshëm për të lënë pjesën e vet nuk bën dot përpara, kjo është e ditur. Prandaj, ne kemi korrupsionin në nivele të larta”.

Teksa foli për zgjedhjet lokale të 30 qershorit, Shkullaku u shpreh se zgjidhja është në “dorën” e Ramës. Ai thekson se nëse PS do të shkojë në zgjedhje, atëherë vendi rrezikon të shkojë në konfrontim civil.

“Koha është në varësi të reflektimit që do të ketë kryeministri në varësi të kërkesave të opozitës. Opozita mund të jetë e “çmendur” dhe nuk do të hyjë në zgjedhje. Atëherë vendimi që duhet të marrë kryeministri duhet të jetë i tillë që meqenëse kam mbështetje, meqenëse jam i qetë, do hyjë në zgjedhjet e 30 qershorit i vetëm apo jo. Nëse do të hyjë, atëherë duhet të llogarisë që një vendim i tillë mund të çojë dhe në konfrontim civil.

Ai ka ardhur në pushtet me shprehjen e famshme: Jam i gatshëm të sakrifikoj pushtet për të bërë shtet. Nëse është i gatshëm të sakrifikojë pushtet, le të emërojë një qeveri tranzitore dhe kryeministrin e ri ta zgjedhë PS”, u shpreh Shkullaku.