Lamtumira e fundit për nëntetaren Zarife Hasanaj

Zhvillohen sot homazhe në nderim të nëntetares Zarife Hasanaj. Në mesditë ajo do të prehet pranë monumentit “Nënë Shqipëri” si dëshmorja më e re e Atdheut.

Me vendim të Këshillit të Ministrave, dita e sotme, datë 10 maj 2019 u shpall ditë zie kombëtare në nderim të Hasanajt, e mbetur e vrarë të hënën në bazën e NATO-s në Letoni, pas shpërthimit të municioneve luftarake.

Një ditë më parë, trupi i pajetë i nëntetares Hasanaj, u prit me një ceremoni ushtarake që u organizua në Rinas. Ministrja Xhaçka dhe zëvendësministri Koçi ndodheshin pranë familjarëve të 32-vjeçares.  Arkmorti, i mbështjellë me flamurin kombëtar, u zbrit nga avioni i NATO-s dhe truprojat e nderit e mbajtën përgjatë pistës së aeroportit, për t’iu drejtuar më pas banesës në Babrru.

Edhe nisja nga aeroporti i Rigës ishte po aq dinjitoze. NATO, e cila ka 1400 trupa ushtarake në bazën Adazit të Letonisë, ku mes tyre ndodhen 20 specialistë shqiptarë, ishte kujdesur për një ceremoni të denjë.

Hetimet për shkakun e shpërthimit në depo, teksa po demontonin predha të kalibrit të madh, vijojnë me intensitet të lartë, ndërsa gjithçka flet për një aksident dhe jo sulm. Një lajm i keq vjen nga mediat letoneze, ku RIGA raporton se gjendja shëndetësore e Major Klodian Tanushit është tepër e rëndë, ndërsa rreshter Julian Kapaj ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN