Librazhd, grabitësit i marrin me dhunë mbi 1 milion lekë

Grabitësit e banesave kanë goditur sërish, kësaj radhe në qytetin e Librazhdit. Në lagjen numër 1 të këtij qyteti, persona ende të paidentifikuar, gjatë orëve të para të mëngjesit të kësaj të premteje, kanë grabitur me dhunë banesën e mjekut gjinekolog, Kujtim Albrahimi.

Në momentin e grabitjes, mjeku ishte në banesë bashkë me bashkëshorten dhe madje është konfliktuar me grabitësit, të cilët kanë ushtruar dhunë ndaj çiftit që u përpoqën t’i bënin rezistencë. Nga të dhënat e para dyshohet se grabitësit mund të kenë marrë një shumë mbi 1 milionë lekë të reja në banesën e mjekut dhe janë larguar. Ndërkohë policia ka shkuar në vendngjarje dhe ka nisur hetimet, duke marrë gjurmët e gishtave në banesë si dhe dëshminë e çiftit Albrahimi.

Rastet e grabitjeve të banesave janë bërë një shqetësim serioz, pasi në dy ditë janë shënuar tri raste të tilla. Po në qarkun e Elbasanit, në qytetin e Peqinit, persona të paidentifikuar kanë grabitur banesën e një të moshuari, duke përdorur lëndë kimike sprucuese, e cila paralizon njerëzit dhe i bën të pavetëdijshëm. Policia dyshon se kjo grabitje është kryer nga një çift që futet në banesa me kërkesën e kryerjes së nevojave personale.

Ndërsa me herët, grabitje u shënua edhe në banesën e një biznesmeni në Çiflig të Korçës, ku persona të paidentifikuar grabiten 160 mijë lekë të reja dhe një sasi të vogël valute europiane. Për ansjë nga këto raste, policia nuk ka mundur të identifikoje personat e dyshuar dhe aq me pak të ndalojë ndonjë prej tyre.