Njerëzit në hënë në vitin 2024, e premton miliarderi

Njerëz dhe pajisje në hënë deri në vitin 2024. Është ky projekti ambicioz I prezantuar nga miliarderi Jeff Bezos, I cili zbuloi dhe një super anije kozmike. Mjeti hapësinor, I quajtur “Blue Moon” do të transportojë instrumente shkencore, satelitë dhe sondë. Gjithashtu është pajisur me një motor shumë të fuqishëm.

“Është koha për t’u rikthyer në hënë, por këtë radhë për të qëndruar”, tha Bezos. Ai prezantoi synimet e eksplorimit të tij në hënë në Qendrën e Konventës të Uashingtonit, ndaj një audience, e cila konsistonte në klientë potencialë të projektit dhe zyrtarë nga NASA-s. Një ndër synimet e projektit “Blue Moon” është që anija kozmike të ulet në polin jugor të hënës, ku janë gjetur depozita akulli.

“Na është dhënë një dhuratë, ky trup qiellor I quajtur hënë. Ne kemi mësuar shumë për hënën që nuk I dinim në kohën e Apollos, apo para 20 viteve. Një nga zbulimet më të rëndësishme, është se atje ka ujë, që është në formën e akullit. Kjo gjendet në gropat e hënës dhe uji është një burim shumë me vlerë. Mund të përdorim elektroliza për ta kthyer ujin në hidrogjen dhe oksigjen. Një tjetër arsye pse hëna është një dhuratë, është se gjendet vetëm 3 ditë larg”.

Në muajin mars, Administrata amerikane njoftoi se synon rikthimin e astronautëve në hënë deri në fund të vitit 2024. Megjithatë bashkëpunimi mes presidentit Donald Trump dhe miliarderit Bezos shikohet me skepticizëm për shkak të përplasjeve të tyre të vazhdueshme.