Te Partizani “avullojnë” biletat, “Fanatics” bojkotojnë derbin

Te Partizani është gjithçka gati për festën e titullit. Pas 26 viteve, pritja ka ardhur në orët e fundit. Të kuqtë kanë shansin të kurorëzohen kampionë prej derbit të së dielës me Tiranën. Një fitore përballë rivalëve të përjetshëm, do të niste zyrtarisht festën. Për këtë arsye, tifozët janë angazhuar në mbështetje të ekipit, me stadiumin që pritet të jetë i mbushur me kapacitet të plotë.

Klubi i kuq ka njoftuar se prej interesimit të madh, biletat po shiten me ritme jashtë parashikimeve. Në tribunën kryesore nuk ka më asnjë vend të disponueshëm, ndërsa drejt shitjes së plotë janë edhe tribunat e tjera.  Të dielën, të gjithë pritet të jenë në stadium, sepse rikthimi te titulli, duke fituar derbin me Tiranën, është ëndrra e të gjithë tifozëve të Partizanit.

Supersfida e kryeqytetit do të humbasë një prej faktorëve të saj. “Tirona Fanatics” vendosën të bojkotojnë përballjen me rivalët e përjetshëm. Gjithçka në një kohë kur tifozët e Partizanit do të pushtojnë stadiumin, me biletat që thuajse janë shitur. Në faqen zyrtare, grupimi i mbështetësve bardheblu njoftoi se nuk do të jetë prezent në stadium.

“Besojmë se nevojë për sqarime nuk ka, edhe njeherë tjetër refik halili dhe qeraxhinjtëe tij mund ti zgjidhin vet ndarjet e ‘Dhomave’ të ‘Shtëpisë Me Qera’”, ishte qëndrimi zyrtar i “Tirona Fanatics”.

Për mbështetësit e 24 herë kampionëve, fakti që Partizani mund të fitojë titullin, pikërisht në një ndeshje derbi, e mbi të gjitha në shtëpinë e Tiranës, është një dramë, në të cilën askush nuk dëshiron të jetë pjesë. Një rivalitet që shkon përtej çdo gjëje të imagjinueshme. Për hir të kësaj situate, tifozët bardheblu vendosën të mos jenë pranë skuadrës, në atë që cilësohet një prej dy finaleve të mbetura të sezonit.

Shkarkoni aplikacionin e A2