Opozita mban sot në 18.30 protestën e katërt kombëtare

Opozita zhvillon pasditen e sotme protestën e katërt kombëtare. Protesta do të zhvillohet para kryeministrisë në orën 18:30.

 Kërkesat e opozitës mbeten të njëjta, largimi i kryeministrit Rama dhe qeveri tranzitore që garanton zgjedhje të lira e të ndershme.  Nuk ka ende një skenar se si do të zhvillohet protesta e opozitës, ndërsa është folur se do të zgjasë për rreth 3 orë.

 Në protestën e kaluar kombëtare, pati tensione dhe përplasje me policinë, e cila u përgjigj në të shumtën e rasteve me hedhjen e gazit lotsjellës.

 Dje ne takimin me 300 te rinj te forumit rinor të partisë popullore evropiane, kryeopozitari Lulzim Basha ftoi të majtë e të djathtë në protestën e sotme duke deklaruar se beteja që kanë nisur prej muajit shkurt, është një betejë për Shqipërinë Evropiane.

Mbështetës nga disa qytete të vendit, drejt Tiranës

Ndërkohë, mbështetës të opozitës nga qytete të shumta të vendit  janë nisur drejt Tiranës, për të marrë pjesë në protestën e sotme të opozitës.

Nga Vlora, Kukësi, Shkodra, Fieri ardhja drejt Tiranës, për t’ju bashkuar protestës ashtu si herët e tjera është bërë në mënyrë të organizuar. Krerët e degëve të PD në rrethe, e kanë cilësuar 11 majin si protestën më të madhe të opozitës dhe deklarojnë se nuk do të ketë zgjedhje pa pjesëmarrjen e saj në 30 qershor.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN