Të hënën tjetër protestë kombëtare, Basha: Kjo dhunë barbare meriton përgjigje të fuqishme

01:15 – Pas gati një ore mbledhje në selinë e Partisë Demokratike, opozita vendosi që të hënën të zhvillojë një tjetër protestë kombëtare, në orën 19:00.

Ndërkohë, të gjithë pjesëmarrësit në mbledhje do të shkojnë drejt spitalit ushtarak, për të protestuar deri në lirimin e sekretarit organizativ të Partisë Demokratike, Sahit Dollapi.

Të dielën në 11:00 paradite do të ketë një tjetër protestë forumi më i lartë politik i PD dhe partive të tjera të opozitës te Drejtoria e Policisë.

“Nuk ka pikë dyshimi që ishte protesta më e jashtëzakonshme. Mllefi i njerëzve ka arritur kulmin. Kjo dhunë barbare ndaj protestuesve, arrestimi i tyre dhe veçanërisht arrestimi i Dollapit kërkon një përgjigje të fuqishme. Përgjigja është një reagim i menjëhershëm sot, një protestë të hënën. Me dy kushte, lirimi i menjëhershëm i të arrestuarve dhe arrestimi i menjëhershëm i autoreve të dhunës”, tha Basha para protestuesve të mbledhur në selinë e Partisë Demokratike.

Ora 00:30 – Sahit Dollapi është dërguar në spitalin e Traumës, për të marrë kujdesin mjekësor, ndërsa fillimisht u shoqërua në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Kjo ishte edhe kërkesa e tij fillestare pasi pretendonte se ishte dhunuar nga policia.

Bashkë me të, mësohet se në total janë 100 protestues të shoqëruar nga policia, ndërsa sipas ministrit të Brendshëm Lleshaj, janë edhe 13 efektivë të policisë të lënduar.

Ishte pikërisht shoqërimi i Dollapit, i cili u godit nga forcat e ndërhyrjes së shpejtë, që solli edhe transferimin e protestuesve te Drejtoria e Policisë, ndërsa në selinë e PD po mbahet në këto momente një mbledhje urgjente për hapat e mëtejshëm që do të ndërmarrë opozita”.

Ora 00:16 – Para nisjes së mbledhjes së PD me aleatët, Lulzim Basha tha para protestuesve: “Beteja do të vazhdojë deri sa t’i japim fund politikës së lidhur me krimin, deri sa ta çlirojmë Tiranën dhe Shqipërinë nga qeveria e lidhur me krimin. Ju jeni protestues, qytetarë, prindër, por ju jeni sot ushtria demokratike, armata e lirisë dhe Europës. Shpresa e vetme që ky vend të bëhet si gjithë Europa”.

Ora 00:00 – Partia Demokratike ka thërritur një mbledhje urgjente në seli, ku do të marrin pjesë anëtarët e kryesisë së partisë, ata të grupit parlamentar dhe Kolegjit të Kryetarëve.

Ora 23:55 – Prezenca e OSBE-së reagon përsëri për protestën dhe zhvillimet e orëve të fundit në Tiranë. “Ne përsërisim qëndrimin tonë të palëkundur që dhuna nuk është përgjigja. Gjithashtu, reagimi i rëndë ndaj dhunës nuk ndihmon”, thuhet në deklaratë.

Ora 23:38 – Protestuesit dhe përfaqësuesit e Partisë Demokratike duket se nuk kanë ndërmend të largohen nga Drejtoria e Policisë deri në lirimin e Sahit Dollapit, sekretarit organizativ të PD, i cili u godit nga efektivët e forcave të ndërhyrjes së shpejtë dhe më pas u shoqërua.

“Nuk ka rëndësi se sa do të vazhdojmë të qëndrojmë këtu, rëndësi ka që me urdhër politik janë dhunuar qytetarë dhe protestues, sekretari organizativ i PD. Ata do të marrin përgjigjen e merituar”, tha Gazment Bardhi. “Ne kemi bërë protestë paqësore, policia është kthyer në organizatë kriminale. Ka rrëmbyer sekretarin organizativ të PD, gjatë protestës ai ka mbrojtur policinë. Ai është pika e kontaktit mes protestuesve dhe policisë dhe duhet të bashkëpunonte me të, por në vend që të bashkëpuninin me të e kanë dhunuar”.

Ora 23:20 – Të paktën dy persona janë shoqëruar nga Policia në afërsi të Drejtorisë së Policisë, gjatë një lëvizjeje të efektivëve të ndërhyrjes së shpejtë për të larguar protestuesit nga aty.

Në zonë ka ardhur edhe një makinë zjarrfikëse për të shuar zjarrin në koshat e mbeturinave, ndërsa një ambulancë qëndron në gatishmëri. Vetëm pak më parë një kalimtar i prekur nga gazi lotsjellës është shoqëruar për në spital.

Trafiku në zonë është tërësisht i bllokuar, ndërsa bizneset janë mbyllur, edhe pse zakonisht të shtunave ka njerëz të shumtë. Disa banorë kureshtarë të lagjes kanë dalë në rrugë për të parë atë që po ndodh.

Ora 23:10 – Policia është përpjekur të largojë disa prej protestuesve që qëllonin me gurë në drejtim të saj, duke i ndjekur nëpër rrugicat e lagjes pranë Drejtorisë së Policisë, duke u konfrontuar me disa prej tyre, por edhe me ish-deputeten e PD, Albana Vokshi.

Për këtë ka reaguar edhe Presidenti i Republikës, sipas të cilit, situata para Drejtorisë së Policisë është absurde. “Sahit Dollapi duhet të shoqërohet për në spital për të marrë ndihmën e parë për lëndimet dhe jo të mbahet në polici”, thuhet në reagimin e Metës.

Ora 23:00 – Protestuesit vazhdojnë të qëndrojnë pranë godinës së Drejtorisë së Policisë, pavarësisht distancimit për shkak të përdorimit të makinës së ujit nga ana e policisë. Sipas burimeve, ata do të vazhdojnë të qëndrojnë aty për të kërkuar lirimin e sekretarit organizativ të Partisë Demokratike, Sahit Dollapi.

Herë pas here, një pjesë e tyre qëllojnë me gurë në drejtim të policisë. Kryesisht ata që qëllojnë janë persona të mitur, të maskuar, që heqin pjesë të pllakave nga trotuari dhe godasin në drejtin të forcave të ndërhyrjes së shpejtë.

Disa prej koshave të mbeturinave aty pranë kanë marrë flakë, duke rrezikuar edhe makina të parkuara në afërsi të tyre.

Ora 10:43 – Protestuesit dhe përfaqësuesit e Partisë Demokratike thonë që do të qëndrojnë te Drejtoria e Policisë deri në lirimin e Sahit Dollapit, sekretarit organizativ të PD, të shoqëruar më parë.

“Turma, nga momenti në moment mund të dalë nga kontrolli. Ne nuk mund t’i bëjmë thirrje njerëzve tani për qetësi, kur jemi të shqetësuar për një nga përfaqësuesit tanë që është marrë nga policia private e Edi Ramës”, tha Ervin Salianji.

Ora 10:29 – Policia ka shoqëruar sekretarin organizativ të Partisë Demokratike, Sahit Dollapi. Nga pamjet filmike duket se oficerët e ndërhyrjes së shpejtë godasin zotin Dollapi. Sipas PD, ky i fundit nuk po kryente asnjë veprim të dhunshëm, thjesht po vendoste maskën kundërgaz. Me policinë është konfrontuar edhe ish-deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, e cila fillimisht është afruar për të kërkuar sqarime rreth shoqërimit të Dollapit.

Kjo ka bërë që një pjesë e protestuesve, të kryesuar nga Basha dhe eksponentë të tjerë të Partisë Demokratike, të shkojnë te Drejtoria e Policisë, për të kërkuar sqarime në lidhje me shoqërimin e sekretarit organizativ të PD.

Ora 10:17 – Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, ka reaguar përsëri përmes një postimi në Twitter, duke thënë se 13 policë janë lënduar nga dhuna ekstreme e organizuar dhe drejtuar në mënyrë politike. “Përsëris thirrjen ndaj qytetarëve që të distancohen nga grupi që sulmon Policinë dhe institucionet!”, ka bërë apel Lleshaj.

Ora 21:55 – Ambasada amerikane: Dhuna është thelbësisht jodemokratike

Ambasada Amerikane ka reaguar përmes një njoftimi për mediat, duke dënuar dhunën në protestën e sotme.

“Objektivi i deklaruar i opozitës për ta bërë demokracinë e Shqipërisë më të fortë shkon kundër dhunës që është duke u ushtruar nga protestuesit. Dhuna është thelbësisht jodemokratike dhe duhet të ndalojë. Drejtuesit e protestës kanë përgjegjësinë të nxisin qetësi. Iu bëjmë thirrje të gjitha palëve që të tregojnë vetëpërmbajtje.

21:26 – Katër persona mësohet se janë arrestuar, pasi mendohet se janë pjesë e atyre që kanë hedhur bomba molotov gjatë protestës së opozitës në drejtim të Kryeministrisë dhe Parlamentit.

21:25 – Vazhdon e tensionuar protesta e opozitës, tashmë e spostuar para Parlamentit. Edhe aty, protestuesit kanë hedhur bomba molotov, por edhe fishekzjarre, ndërsa policia është kundërpërgjigjur me gaz lotsjellës. Minuta të tensionuara, pasi protestuesit vazhdojnë të hedhin kapsolla dhe gurë në drejtim të forcave të policisë.

Ora 20:50 – Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka, njoftoi turmën për t’u zhvendosur drejt godinës së Parlamentit, për ta vijuar aty protestën, siç edhe është bërë në protestat e kaluara.

20:37 – Rama: Zjarri nuk ka ç’i bën Qeverisë, por Shqipërisë i bën dëm

Kryeministri Edi Rama ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale për protestën e opozitës.

“Çfarë trishtimi një lider opozite që me zë të ikur i thotë qeverisë “Aman ik!”, ndërkohë që ata rrotull tij hedhin zjarr mbi godinën e saj! Uroj që kujt vete ende pas kësaj politike qorre, t’i jetë hapur sonte syri nga zjarri që qeverisë s’ka ç’i bën, po Shqipërisë i bën veç dëm”.

20:26 – Është kërkuar ndërhyrja e zjarrfikësve pranë godinës së Kryeministrisë për të shuar flakët e ndezura aty nga hedhja e bombave molotov. Shishet e qelqit, të mbushura me benzinë dhe kapsolla bëjnë që flakët të jenë edhe më të mëdha në momentin e shpërthimit.

20:13 – Tensionohet përsëri situata në krah të lulishtes pas godinës së Kryeministrisë. Disa prej protestuesve hodhën bomba molotov duke i vënë flakën edhe disa tendave, ndërsa policia është kundërpërgjigjur menjëherë duke hedhur gaz lotsjellës.

20:08 – Përfaqësuesit e opozitës po realizojnë një marshim rreth Kryeministrisë dhe sipas informacioneve të deritanishme nuk ka një plan për t’u spostuar drejt godinës së Parlamentit, siç është bërë edhe në protestat e mëparshme. Megjithatë, një mundësi e tillë është lënë e hapur dhe mund të ndodhë në minutat në vazhdim.

Edhe atje, policia ka marrë masa duke rrethuar godinën me tela me gjemba, ndërsa policët vazhdojnë të qëndrojnë me maska kundërgaz, për të qenë gati për të hedhur gaz lotsjellës në rast përshkallëzimi të situatës.

Ora 19:47 – Presidenti Meta: Të gjithë të ruajnë qetësinë

Për përshkallëzimin e situatës gjatë protestës së sotme të opozitës ka reaguar edhe Presidenti Ilir Meta, i cili iu ka bërë thirrje palëve të ruajnë qetësinë.

“Presidenti i Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta është duke ndjekur me shumë shqetësim protestën e opozitës dhe u kërkon të gjithëve të ruajnë qetësinë, të evitojnë aktet e dhunës dhe konfrontimet, që mund të shkaktojnë lëndime në njerëz dhe dëme ndaj institucioneve”, thuhet në një deklaratë të shkurtër të bërë publike.

Ora 19:45 – Ministri i Brendshëm, Lleshaj: Askush nuk mund ta djegë Shqipërinë përsëri!

Përmes një postimi në Twitter, ai iu ka bërë thirrje protestuesve të mos sulmojnë institucionet. “Me Molotov nuk ndërtohet demokracia, por synohet të shkatërrohet Shqipëria. Por kjo gjë është e pamundur! Ftoj qytetarët e përgjegjshëm të distancohen nga sulmi ndaj institucioneve. Askush nuk mund ta djegë Shqipërinë përsëri!”, shkroi Lleshaj në Twitter.

Ora 19:34 – Në momentin më të tensionuar të protestës, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha mbajti fjalën e tij para protestuesve, duke iu kujtuar se ka 30 vite që shqiptarët bëjnë sakrifica për “Shqipërinë si gjithë Europë”.

Ora 19:23 – Policia ka marrë urdhër të hidhet gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën, si dhe të përdoret autoboti për të shuar flakët e krijuara nga hedhja e shisheve me benzinë në drjetim të Kryeministrisë dhe kryesisë së Kuvendit.

Ndërkohë që para turmës po flet lideri i opozitës, Lulzim Basha, oficerët e policisë janë pajisur të gjithë me maskat kundërgaz për t’u përgatitur, ndërkohë që i bëhet thirrje protestuesve që të mos hedhin bomba molotov.

Ora 19:15 – Tensionohet protesta pas mbërritjes së Lulzim Bashës, ku disa protestues kanë hedhur bomba molotov dhe i kanë vënë flakën derës së Kryeministrisë dhe godinës së kryesisë së Kuvendit, ndërsa të tjerë janë përleshur me policinë për të çarë rrethimin.

Ora 19:05 – Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i shoqëruar nga disa studentë nga vendet e Bashkimit Europian, pjesëtare të forumeve rinore të Partive Popullore Europiane, i bashkohet protestuesve në bulevard.

Ora 19:00 – Protestuesit kanë intensifikuar hedhjen e kapsollave në drejtim të godinës së Kryeministrisë.

Policia deri tani ka identifikuar katër persona me maska, të cilët sipas policisë nuk duhet të jenë në protestë pasi hedhin kapsolla të rrezikshme. Megjithatë, para protestuesve ka vetëm një kordon policësh, ndërsa forcat “Shqiponja” dhe ato të ndërhyrjes së shpejtë qëndrojnë në distancë.

Ora 18:50 – Protestuesit janë tashmë më të shumtë në numër dhe kanë nisur edhe hedhjet e para të tymueseve apo shashkave para Kryeministrisë, por edhe bojë në muret e godinës, ndërsa ende nuk ka mbërritur kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Megjithatë nuk ka pasur asnjë konfrontim me rreshtin e parë të policëve që janë vendosur në trotuarin para Kryeministrisë.

Protestuesve iu janë bashkuar edhe pjesëtarë të Aleancës për Teatrin, një grup aktivistësh dhe artistësh të cilët kundërshtojnë projektin për shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar dhe ndërtimin e një godine të re. Partia Demokratike ka zhvilluar disa herë takime për këtë çështje dhe këtë herë ata kanë vendosur të bashkohen në protestën e opozitës.

Burimet nga opozita thonë se protesta do të zgjasë të paktën 3 orë, deri rreth orës 22:00, por nuk përjashtohet mundësia që të vazhdojë edhe më gjatë.

Ora 18:15 – Protestuesit e parë janë mbledhur para selisë së Kryeministrisë për atë që konsiderohet si protesta e katërt kombëtare për opozitën e bashkuar. Edhe pse Policia ka bërë të ditur se i ka dhënë leje opozitës të qëndrojë në shesh deri në orën 20:30, burime nga PD thonë për A2 CNN se ky orar nuk do të respektohet, dhe do të qëndrojnë aty të paktën deri në mesnatë.

Përveç Kryeministrisë, policia ka rrethuar me tela me gjemba edhe godinën e Parlamentit, për të mos lejuar përsëritjen e incidenteve të protestës së kaluar, ku disa persona arritën të lëviznin kangjellat rrethuese.

Në protestën e kaluar kombëtare, pati tensione dhe përplasje me policinë, e cila u përgjigj në të shumtën e rasteve me hedhjen e gazit lotsjellës.

Ndërkohë, mbështetës të opozitës nga qytete të shumta të vendit  janë nisur drejt Tiranës, për të marrë pjesë në protestën e sotme të opozitës. Nga Vlora, Kukësi, Shkodra, Fieri ardhja drejt Tiranës, për t’ju bashkuar protestës ashtu si herët e tjera është bërë në mënyrë të organizuar. Krerët e degëve të PD në rrethe, e kanë cilësuar 11 majin si protestën më të madhe të opozitës dhe deklarojnë se nuk do të ketë zgjedhje pa pjesëmarrjen e saj në 30 qershor.