Nga e enjtja, seancat në Parlament edhe me gjuhën e shenjave

Për jo pak shqiptarë seancat e së enjteve mund të jenë kthyer në bezdisje për sa i përket konfliktit që përmbajnë dhe gjuhës së përdorur nga ligjvënësit. Por duke nisur nga e enjtja e ardhshme, ajo që thuhet nga deputetet dhe jo vetëm ajo që shihet, do të përkthehet në gjuhën e shenjave.

Florjan Rojba është kryetari i shoqatës së njerëzve që nuk dëgjojnë, që në Shqipëri llogariten të jenë rreth 39 mijë. Shoqata do të ofrojë përkthimin në gjuhën e shenjave nëpërmjet interpretëve të saj.

“Kur një person që nuk dëgjon shkon për të votuar, ai nuk e di për kë dhe çfarë voton. Ky është një hap i parë që ky komunitet të kuptojë çfarë qeveria, që mund të ketë votuar, vendos për të. A i plotësohen kërkesat që mund t’i ketë parashtruar”, Florjan Rojba, shoqata Kombëtare e Njerëzve që nuk Dëgjojnë.

“Informacioni do t’i nënshtrohet një protokolli të caktuar. Pra, jo e gjithë seanca, por pjesët më të rëndësishme”, shprehet Genc Gjoncaj, sekretar i përgjithshëm i Kuvendit.

Por kur gjuha e përdorur nga deputetët nuk është ajo e duhura, a nuk ndjehej e privilegjuar kjo kategori, që këtë retorikë mund ta shmangte? “Nëse e shohim në këtë aspekt, deri diku po. Por gjithsesi është interesi të dimë çfarë ndodh aty brenda. Mua më thotë stafi im që dëgjon: U bë rrëmujë sot, ka protestë nesër, sot nuk funksionoi kjo. Por dhe unë kam grintën time dhe dua të di çfarë ndodh. Punon apo jo, mblidhen apo jo deputetët”, thotë Florjan Rojba.

Shkarkoni aplikacionin e A2