Rama: Opozita nuk kontrollon veten, populli nuk i beson, asnjë shans të rrëzohet një qeveri legjitime

Kryeministri Edi Rama zhvilloi një konferencë për shtyp në praninë e mediave, ku deklaroi se “duhet mbajtur qetësia dhe vetëpërmbajtja” duke mos lejuar që “një grupim i udhëhequr nga verbëria e dëshpërimit të ndikojnë në jetën tonë të përditshme”.

Kryeministri shprehu solidaritet dhe respekt për forcat e policisë, që sipas tij “kanë treguar profesionalizëm për t’u admiruar, duke vënë një standard të ri për uniformat blu”, edhe pse pohoi se do të kishte qenë perfeksion sikur nëse në ato 3 sekonda ato punonjës policie nuk do të kishin goditur me shkop gome Dollapin, “ me një veprim të tepërt, po ta shohësh nga televizori”  edhe pse menjëherë thekson se “ po i ike policisë, në një vend me demokraci më të konsoliduar, e pëson shumë më keq”.  

Por për Kryeministrin, opozita tregon “hipokrizi” ndërkohë që në 2011 “vranë 4 persona dhe plagosën 40 të tjerë”. Sipas tij, opozita “ nuk kontrollon dot veten” dhe është “rrugëhumbur”, por atyre që i kërkojnë të kryej arrestime i përgjigjet se “ne nuk jemi si ata”.

Rama theksoi se pamjet e dhunës të transmetuar në mbarë median ndërkombëtare  “bënë që të humbasë çdokush, edhe ata që protestuan”, dhe se objektivi i opozitës është “të çoj vendin në gjendje pamundësie, të përmbyset rendi kushtetues”, por që nuk ka “asnjë shans që të rrëzohet një qeveri legjitime me këto forma, nuk ka ndodhur askund dhe nuk do të ndodhë”, edhe pse janë gjithmonë e më pak, “sepse njerëzit nuk duan dhunën nuk duan djegien e mandateve”.

Sipas tij, “në qoftë se populli do t’i besonte vërtetë opozitës, “Qeveria nuk mund të rrinte në këmbë”.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN