Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 60%
  • Zonat malore 20%
  • Qendrat historike 20%

Zgjedhjet e 30 qershorit, socialistët bëjnë gati “formacionin” rozë

Nga A2 CNN
12 Maj 2019, 11:38 | Politikë
Zgjedhjet e 30 qershorit, socialistët bëjnë gati

Në Partinë Socialiste, u  vendos tashmë se cilët do të jenë lojtarët që do të shkojnë në zgjedhjet e 30 qershorit përmes formacionit të selisë rozë.

Vangjush Dakos i gjendet një zëvendësuese, Valbona Sako, drejtoresha aktuale e Tatimeve ne qytetin e Durrësit, e njohur si njeri i afërt me Dakon.  

Në Diber Dionis Imeraj rrëzon emrin e përfolur të Rreme Lalës dhe merr mbështetjen e socialistëve për të qenë kandidat. Drejtori i Tatimeve ishte edhe në zgjedhjet e pjesshme alternative për socialistët, por u tërhoq para garës me Sherefedin Shehun e demokratëve. Këta të fundit nuk i kanë kursyer akuzat ndaj tij për blerje votash në Dibër.

Edhe Dritan Leli, që nuk i kishte punët mirë në sondazhet e selisë rozë, kaloi sfidën duke qëndruar kandidatura e mazhorancës në Vlorë.

PS duket se ka harruar se pak javë më parë kërkonte të mos kandidoheshin kryebashkiakë me më shumë se 3 mandate. Në Maliq Gëzim Topçiu, kryetar bashkie që prej vitit 2000 kërkon një mandat të gjashtë, i pasuar nga Adriatik Zotkaj në Poliçan që kërkon të pestin.

PS në Mat garon me ish gardistin e 21 janarit Agron Malaj. Edhe një aktor humori, aktualisht drejtor i teatrit të kukullave Erjon Isai, që ka dalë në mbrojtje të ndërtimit të teatrit te ri kombëtar, do të kandidojë për Ersekën.

Kryesia e PS miratoi edhe ngritjen e Task Forces për zgjedhjet lokale, në përbërje të së cilës do të jenë Gramoz Ruçi, Taulant Balla, Ulsi Manja, Etilda Gjonaj, Damian Gjiknuri, Ermonela Felaj, Arben Pëllumbi, Erjon Braçe dhe Sandër Lleshaj.

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani