Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 33%
  • Qendrat historike 17%

Burime të A2 CNN, ambasadorja e OSBE do të drejtojë misionin vëzhgues për zgjedhjet

Nga A2 CNN
13 Maj 2019, 16:08 | Politikë
Burime të A2 CNN, ambasadorja e OSBE do të drejtojë misionin

Audry Glover rikthehet në Shqipëri si kryevëzhguese e zgjedhjeve. Burime diplomatike konfirmuan për A2 CNN se ambasadorja e OSBE është caktuar për të drejtuar misionin vëzhgues për zgjedhjet e 30 qershorit.

Është një emër jo pak i njohur në politikën shqiptare, ndërsa nuk u prit mirë ricaktimi i saj në vitin 2009 nga qeveria Berisha për vëzhgimin e zgjedhjeve.

Kjo pasi ishte po Glover, e cila hartoi raportin kritik të zgjedhjeve parlamentare të vitit 1996, të organizuara po nga mazhoranca e kryesuar nga Sali Berisha, asokohe president i Republikës. Zgjedhjet nuk u njohën nga socialistët ndërkohë që vetëm një vit më pas vijnë trazirat e 1997-ës edhe për shkak të rënies së skemave piramidale.

Rotacioni i pushtetit vjen në qershor të 97-ës pasi në vend ishte krijuar qeveria e pajtimit kombëtar e kryeministrit socialist Bashkim Fino. Por çfarë ndodhi në 2009-ën. Glover në krye të misionit të ODIHR vëzhgoi praktikisht zgjedhjet më të mira që ka pasur vendi në periudhën e tranzicionit shqiptar.

Të mësuar në të shkuarën me shprehjen se zgjedhjet ishin një hap para drejt standardeve ndërkombëtare, për zgjedhjet e 28 qershorit 2009, në raportin final “OSBE/ODIHR vlerësoi përputhjen e procesit zgjedhor me angazhimet ndaj OSBE-së, me standardet e tjera ndërkombëtare për zgjedhje demokratike, si dhe me legjislacionin vendas”.

“Zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit 2009 shënuan një progres të prekshëm për sa i përket regjistrimit të votuesve dhe procesit të identifikimit, kuadrit ligjor të miratuar në mënyrë konsensuale nga dy partitë kryesore në vend, për sa i përket votimit, numërimit dhe gjykimit të konflikteve zgjedhore”, thuhet në raport.

Madje sipas OSBE-ODIHR, Shqipëria atë vit kishte potencial për zgjedhje edhe më të mira, teksa shprehet se, “Edhe pse përmbushën shumicën e angazhimeve ndaj OSBE-së, këto zgjedhje nuk realizuan plotësisht potencialin e Shqipërisë për t’iu përmbajtur standardeve më të larta për zgjedhje demokratike. Zhvillimi i zgjedhjeve demokratike varet gjithashtu, në një masë të madhe, nga angazhimi i të gjitha partive politike shqiptare për të respektuar ligjin dhe qëllimin e tij në detajin më të vogël, si dhe për t’i përmbushur detyrat e tyre zgjedhore në mënyrë të përgjegjshme me synim ruajtjen e integritetit të procesit”, do të shprehej Misioni i vëzhgimit të zgjedhjeve të organizuara nga qeveria e kryeministrit Beris, i kryesuar nga Audry Glover.

Ajo rikthehet në Shqipëri për vendoret e 2018-ës në kulmin e krizës politike, ndërsa opozita demokrate kërcënon se zgjedhje nuk do të ketë.

A2 CNN Livestream

Dita jonë