Hyn në fuqi ligji për abortin, aktorja bën thirrje për grevë seksi

Aktorja Alyssa Milano ka bërë thirrje që femrat në mbarë botën të nisin grevën e seksit si një kundërpërgjigje për ligjin e ri për abortin, të miratuar në shtetin e Xhorxhias, në SHBA. “Deri sa gratë të kenë kontroll mbi mënyrën se si të mbajnë trupin e tyre, nuk mund të rrezikojmë të mbetemi shtatzënë”, shkroi aktorja në Twitter.

Kritikët thanë se apeli merrte si të mirëqenë që vetëm meshkujt e shijojnë seksin dhe se trupi i femrës është një “komoditet” që mund të përdoret si ndëshkim duke mos u “dhënë”. Megjithatë, pati edhe persona që e mbështetën.

“Jam totalisht dakord me ty Alyssa, por çështja nuk ka të bëjë me të drejtën për t’u riprodhuar, por me përgjegjësitë mbi riprodhimin. Askush nuk duhet të bëjë seks deri në momentin që ndihet gati për të përballuar këtë privilegj dhe përgjegjësitë e rritjes së një fëmije”, iu përgjigj po në Twitter, Lila Rose, presidente e organizatës kundër abortit, “Live Action”.

Apeli i Milanos erdhi pak ditë pasi Guvernatori i Xhorxhias Brian Kemp firmosi një ligj sipas të cilit aborti është i ndaluar nëse mjekët arrijnë të diktojnë rrahjet e zemrës së fetusit. Ligji ka disa përjashtime, si rastet kur shtatzënia paraqet rrezik për jetën e nënës.

Që prej firmosjes së ligjit, të paktën tre kompani kinematografike kanë deklaruar se nuk do të vazhdojnë xhirimet e projekteve të tyre në këtë shtet.