Krerët e OSBE: Vetëpërmbajtje dhe dialog

Kreu i Organizatës për Sigurinë dhe Bashkëpunimin Europian, njëkohësisht ministri sllovak i Punëve të Jashtme dhe të Europës, Miroslav Lajčák,  Presidenti i Asamblesë Parlamentare të OSBE, George Tsereteli dhe Sekretari i Përgjithshëm i OSBE, Roberto Montella, dënuan këtë të hënë përmes një deklarate të përbashkët, dhunën e ushtruar nga ana e protestuesve të shtunën në Tiranë, por edhe kërcënimet dhe intimidimet ndaj kreut të pranisë së OSBE në Tiranë, Bernard Broschardt. Gjithashtu, ata i bënë thirrje forcave të rendit që të tregojnë vetëpërmbajtje.

“E drejta e protestave është një parakusht thelbësor i një shteti demokratike. Por institucionet e forta, përfshi edhe një Parlament efektiv, janë gurë themeli të një demokracie dhe thelbësore për stabilitet politik dhe synimin e ligjit. Ndërsa dhuna e intimidimi i zyrtarëve të organizatave ndërkombëtare janë të papranueshme”, thuhet në deklaratën e OSBE për mediat.

Ata falënderuan autoritetet shqiptare që mbrojtën me efektivitet rezidencën e kreut të pranisë së OSBE në Tiranë dhe inkurajuan palët që të tregojnë moderim gjatë protestës së të hënës.

“Tubimet nuk e zëvendësojnë angazhimin demokratik politik. Ato ndërpresin mundësinë e dialogut dhe si pasojë, mundësinë e gjetjes së gjuhës së përbashkët. i bëjmë thirrje liderëve politikë dhe qytetarëve shqiptarë që të tregojnë vetëpërmbajtje, të protestojnë paqësisht. OSBE do të vazhdojë të mbështesë proceset demokratike në Shqipëri”.

“Përshkallëzimi i krizës do të dëmtonte në mënyrë të pashmangshme prioritetet strategjike të brendshme dhe të jashtme të Shqipërisë. Koha ka ardhur që të ravijëzohet një platformë e brendshme për dialog që të përfshirë të gjithë aktorët kryesorë, partitë politike, shoqërinë civile dhe akademikët, për të tejkaluar mendimet e ndryshme dhe për të punuar së bashku në interesin më të mirë të Shqipërisë”.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN