Mbyllet marshimi protestë, Basha: Të vendosur për vazhdimin e betejës

Ndiqni “live” zhvillimet e fundit nga protesta e opozitës në A2 CNN

Ora 21:20 – Kreu i Partisë Demokratike falënderoi protestuesit për marshimin protestë të ditës së hënë, që sipas tij, nuk u ndalën as nga reshjet e dendura të shiut. “Shqipëria dhe Europa nuk e kish njohur ndonjëherë këtë vendosmëri. Shqipëria nuk do të kthehet më kurrë atje ku ishte tre muaj më parë, nën thundrën e errësirës”, tha Basha.

“Mirënjohje e veçantë për të gjithë agjëruesit e Ramazanit, Zoti iu a shpërbleftë këtë sakrificë sonte. Mirënjohje për të gjithë ata që iu bashkuan qytetarisë tiranase, nga Shkodra, Vlora, nga Korça, Elbasani, Lushnja dhe Fieri, dhe në veçanti mirënjohje, mikpritësve tanë, qytetarëve të Tiranës.

Sot treguan se nuk ka forcë që na ndal në kërkesën tonë për zgjedhje të mira dhe të ndershme. Nuk ka pazar me të keqen, e keqja do të ikë për t’i hapur rrugë Shqipërisë si gjithë Europa.

Në përfundim të kësaj proteste marshim jemi edhe më të vendosur, e të bashkuar për të sakrifikuar gjithçka për demokracinë. Kjo është beteja jonë pa kthim, për Shqipërinë si gjithë Europa. Forca e popullit të bashkuar. Forca jonë është bashkimi, pjesëmarrja, vendosmëria dhe kësaj force nuk i bën dot ballë as Edi Rama, as banda e tij e inkriminuar. Misioni ynë është mision brezash, për të gjithë fëmijët e Shqipërisë, për të gjithë ata që sot e kanë kuptuar se vetëm përmes bashkimit, mund ta gjejnë të ardhmen e tyre”.

Basha këndon Himnin Kombëtar

Ora 21:00 – Protestuesit dhe përfaqësuesit e partive opozitare i janë drejtuar selisë së Partisë Demokratike, ku pritet të mbahet edhe një fjalim i fundit nga Lulzim Basha. Duket se në përfundim të këtij itinerari do të mbyllet edhe marshimi protestë i ditës së sotme.

Ora 20:49 – Në drejtim të oborrit të Drejtorisë së Policisë së Tiranës janë hedhur edhe bomba molotov, por për shkak të shiut flakët nuk kanë mbijetuar gjatë. Protestuesit vazhdojnë gjithashtu të hedhin tymuese dhe kapsolla, por edhe sende të forta, kryesisht gurë.

Ora 20:40 – Situatë e tensionuar është krijuar edhe te Drejtoria e Policisë së Tiranës, ku disa protestues kanë hedhur gurë në drejtim të godinës, duke thyer edhe një xham. Ndërkohë që nuk mungojnë hedhjet e kapsollave dhe tymueseve.

Ora 20:25 – Është tensionuar situata para ministrisë së Brendshme, ku janë hedhur kapsolla, tymuese dhe flakadanë, të cilat kanë gjetur disi të papërgatitur forcat e rendit. Policia ka zgjedhur të mos ndërhyjë për momentin.

20:13 – Policia: Një efektiv i plagosur nga hedhjet e kapsollave

Policia e Shtetit njofton se një efektiv ka mbetur i plagosur për shkak të kapsollave të hedhura nga protestuesit gjatë qëndrimit të tyre pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë.

Sipas njoftimit, ai është dërguar në spital për trajtimin e nevojshëm. “Policia e Shtetit u bën thirrje drejtuesve të protestës dhe protestuesve që të ndalojnë goditjet provokuese ndaj policisë”, mbyllet njoftimi i Policisë.

Ora 20:10 – Disa prej protestuesve janë përpjekur të hedhin edhe bomba molotov në sheshin para Parlamentit, por shiu nuk e ka bërë të mundur shpërthimin e saj.

Ora 20:05 – Kanë nisur hedhjet e para të kapsollave dhe tymueseve para Parlamentit, ku kanë mbërritur të gjithë protestuesit, por edhe përfaqësuesve të partive opozitare nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë. Disa prej protestuesve janë përpjekur të rrëzojnë gardhin metalik që rrethon godinën e Parlamentit, ndërsa forcat e policisë janë tërhequr për disa metra.

Ora 19:50 – Protestuesit e parë kanë mbërritur para Parlamentit, madje një pjesë e tyre kanë zgjedhur të vijnë menjëherë këtu, duke mos ndjekur itinerarin zyrtar për të kaluar më parë nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë.

Autoritetet kanë marrë masat përsëri, duke rrethuar godinën e Parlamentit me tela me gjemba, edhe pse rruga vazhdon të mbetet e hapur për kalimtarët.

Ora: 19:40 – Krerët e OSBE: Vetëpërmbajtje dhe dialog

Kreu i Organizatës për Sigurinë dhe Bashkëpunimin Europian, njëkohësisht ministri sllovak i Punëve të Jashtme dhe të Europës, Miroslav Lajčák,  Presidenti i Asamblesë Parlamentare të OSBE, George Tsereteli dhe Sekretari i Përgjithshëm i OSBE, Roberto Montella, dënuan këtë të hënë përmes një deklarate të përbashkët, dhunën e ushtruar nga ana e protestuesve të shtunën në Tiranë, por edhe kërcënimet dhe intimidimet ndaj kreut të pranisë së OSBE në Tiranë, Bernard Broschardt. Gjithashtu, ata i bënë thirrje forcave të rendit që të tregojnë vetëpërmbajtje.

Ora 19:17 – Pas fjalës së kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, dhe me thirrjet “E duam Shqipërinë si gjithë Europa” e “Rama Ik”, protestuesit nisën marshimin nga Kryeministria drejt Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë.

Më pas protestuesit do të vazhdojnë itinerarin e tyre drejt Parlamentit, Ministrisë së Brendshme e në fund drejt Drejtorisë së Policisë së Tiranës.

Ora 19:00 – Në shoqërinë e kapsollave dhe tymueseve, Kreu i Partisë Demokratike ka mbajtur fjalën e tij hapëse para protestuesve të mbledhur këtë të hënë para Kryeministrisë.

“Vetëm 48 orë më parë shqiptarët u bashkuan në një protestë të jashtëzakonshme për të kërkuar një të drejtë të patjetërsueshme të kushtetutës sonë, një betejë elementare të demokracisë, garanci për lirinë dhe dinjitetin e çdo shqiptari. Qeveria dhe Kryeministri ilegjitim të dalë nga votat e krimit ju përgjigj thirrjes sonë me dhunë, provokime rrahje dhe gaz helmues. Qindra, mijëra protestues dhe qytetarë të Tiranës e ndjejnë zgjidhjen e vetme që ka ofruar Edi Rama, për plagët që i ka hapur këtij vendi. Prokuroria ka vetëm një qëllim, të fshehë dosjet ku janë kapur Edi Rama në bashkëpunim me krimin për vjedhjen e votës”, tha Basha.

18:50 – Këlliçi: Protestues me maska pasi janë kërcënuar me telefonata

“Nuk ka pse të ketë asnjë shqetësim. Duhet të kemi shqetësimin e njerëzve të infiltruar nga ministri i Brendshëm për akte dhune. Do të jetë një tubim marshim. Janë me mijëra qytetarë që janë përgjigjur në kohë rekord. Duke qenë se kemi pasur një numër rekord persona të proceduar, ka shumë të rinj që mbajnë maska për të mos u identifikuar, por të jeni të bindur që nuk do të ketë asnjë akt dhune. Shumë të rinj kanë marrë telefonata duke u kërcënuar që të mos marrin pjesë në protestë”, tha Këlliçi për A2 CNN.

18:32 – Itinerari i marshimit të protestës së thirrur nga opozita:

Sheshi Skënderbej
Kryeministri
Drejtoria e Përgjithshme e Policisë
Parlament
Ministria e Brendshme
Drejtoria e Policisë Tiranë

PD thotë se “simbolika e këtij marshimi proteste janë institucionet e kapura nga krimi-Parlamenti dhe Qeveria, si dhe institucionet që janë vegla të dhunës barbare policore mbi qytetarët dhe liritë e të drejta e tyre”.

***

Opozita e bashkuar del sërish sot në shesh në një marshim proteste, ndryshe nga tubimet që ka organizuar më parë.

Në një njoftim për mediat, PD fton qytetarët në këtë marshim proteste, por nuk ka bërë të ditur itinerarin e tij.

“Në këtë protestë mungon sekretari organizativ i PD, Sahit Dollapi, i cili po merr trajtim intensiv në spital nga plagët e rënda të dhunës. Sahit Dollapi ka qenë në çdo protestë pikë kontakti për policinë, siç e kërkon ligji, ndërsa sonte do të jetë Sekretari i Burimeve Njerëzore Ervin Minarolli”, thuhet në njoftimin e PD.

Në njoftimin që PD i ka dërguar policisë për marshimin e protestës, u ka kërkuar punonjësve të ndershëm të policisë së shtetit të mos bëhen pjesë e provokimeve dhe dhunës së paligjshme kundër qytetarëve.

Ndërkohë, njëlloj si në protestën e fundit, policia i ka komunikuar Partisë Demokratike se leja për të zhvilluar protestën është deri në orën 20:30.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN