Opozita në marshim proteste: Policia të mos bëhet pjesë e provokimeve

Partia Demokratike do të organizojë sot pasdite një marshim proteste, ndryshe nga tubimet që ka organizuar më parë. Në një njoftim për mediat, PD fton qytetarët në këtë marshim proteste, por nuk ka bërë të ditur itinerarin e tij.

“Në këtë protestë mungon sekretari organizativ i PD, Sahit Dollapi, i cili po merr trajtim intensiv në spital nga plagët e rënda të dhunës. Sahit Dollapi ka qenë në çdo protestë pikë kontakti për policinë,  siç e kërkon ligji, ndërsa sonte do të jetë Sekretari i Burimeve Njerëzore Ervin Minarolli”, thuhet në njoftimin e PD.

Në njoftimin që PD i ka dërguar policisë për marshimin e protestës, u ka kërkuar punonjësve të ndershëm të policisë së shtetit të mos bëhen pjesë e provokimeve dhe dhunës së paligjshme kundër qytetarëve.

Ndërkohë, njëlloj si në protestën e fundit, policia i ka komunikuar Partisë Demokratike se leja për të zhvilluar protestën është deri në orën 20:30.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN