Protesta, Ministria e Brendshme: Distancohuni nga dhuna

Me anë të zëvendësministrit të Brendshëm, Besfort Lamallari, reagoi Ministria e Brendshme në prag të protestës së ditës së sotme të opozitës, duke u bërë thirrje qyetarëve të distancohen nga aktet e dhunës.

“Ata që prodhuan, shpërndanë e përdorën bombat molotov dhe lëndët e tjera të rrezikshme mbi forcat e rendit, në mbrëmjen e 11 majit, do të tentojnë të përsërisin të njëjtat akte dhune edhe në manifestimin e sotëm. Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit u bëjnë thirrje të gjithë qytetarëve, të distancohen nga këto grupime dhe akte kriminale dhe të bashkëpunojnë me organet e rendit. Policia e Shtetit, në bashkëpunim Prokurorinë dhe Agjencitë e tjera ligj zbatuese janë në ndjekje dhe po hetojnë të gjithë mekanizmin e ideimit, organizimit dhe ekzekutimit të këtyre akteve kriminale”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Brendshme.

Ndër të tjera, zëvendësministri i Brendshëm dënoi dhunën në protestën e së shtunës, ndërsa tha se Policia e Shtetit u tregua profesionale, ashtu si në manifestimet e kaluara, dhe nuk arriti për asnjë moment limitet e reagimit të ligjshëm.

“Përdorimi i gazit lotsjellës është vetëm një nga mjetet e ligjshme në dispozicion të Policisë së Shtetit. Ai është mjeti i parë që përdorin forcat policore të çdo vendi demokratik, në përballjet me turmat e dhunshme. Përballë qindra bombave molotov të hedhura mbi Policinë duke rrezikuar jetën e punonjësve të saj, nuk mund të ketë asnjë pikëpyetje mbi përdorimin ose jo të këtij mjeti.

Ajo për të cilën jemi të shqetësuar është afektimi edhe për disa minuta i qytetarëve, të papërfshirë në tubim, nga gazi lotsjellës.

Dënojmë me ashpërsi aktin e organizatorëve të tubimit të dhunshëm, për devijimin e tij nga Bulevardi drejt zonave të populluara, duke afektuar kështu dhe qytetarë që nuk kishin lidhje me tubimin”.