Dialog me Bashën? Rama: S’kam nevojë as për gjermanë apo amerikanë…

Edhe pse doli për të folur për zgjedhjet e 30 qershorit dhe listën e PS me kandidatët për kryetarë bashkie, sigurisht që ndaj Edi Ramës nuk mund t’i shmangeshin edhe pyetjet për opozitën dhe dialogun me të.

Rama u shpreh se është i gatshëm për dialog dhe për këtë nuk ka nevojë për ndërhyrje as të gjermanëve, amerikanëve, apo anglezëve, tha ai.

“Shpreh mirënjohjen edhe për përfaqësuesit e Unionit Social, që mbajtën një qëndrim korrekt dhe të qartë. Sa i përket dialogut, unë nuk kam nevojë as për gjermanë dhe as për amerikanë, holandezë, anglezë, norvegjezë, për t’u ulur për të dialoguar. E kam thënë dhe e përsëris se dialogu është i patjetërsueshëm dhe i pazëvendësueshëm në procesin e bashkëjetesës politike në një vend normal dhe në një shoqëri që bazohet te vota. E kam kërkuar këtë edhe kur nuk kishte kapsolla. Sot, pala tjetër ka nevojë më shumë se asnjëherë tjetër për dialog”, u shpreh Rama.

Megjithatë, Kryeministri theksoi se nuk ka negociata për “30 qershorin” kushtetues. “Miqtë gjermanë kanë shprehur gatishmërinë për të ndihmuar, shumë e mirëseardhur. Por negociata nuk ka, që të jemi të qartë. Në kuptimin e një procesi negociatash që lidhet me 30 qershorin”, shtoi Rama.

Shkarkoni aplikacionin e A2