Konferenca Ipeshkvore: Rama e Basha të ulin armët e konfliktit

Ipeshkvijtë katolikë të Shqipërisë u kanë bërë thirrje partive politike dhe krerëve të tyre që të largohen nga veprimet e dhunshme dhe t’i tregojnë Europës që shqiptarët mund t’i zgjidhin problemet në mënyrë paqësore dhe jo me dhunë.

“U bëjmë thirrje të gjithë liderëve politikë në Shqipëri, në mënyrë të veçantë liderëve të dy partive të mëdha: Kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit të opozitës Lulzim Basha, që të ulin armët e konfliktit, sikurse janë gjuha urrejtjes dhe arroganca, e të gjejnë me patjetër rrugën e dialogut. Të nxiten me këmbëngulje qytetarët që të heqin dorë nga çdolloj forme dhune dhe vandalizmi. Kush përdor dhunë dhe vandalizëm nuk e do atdheun! Në këtë situatë, ne, me vendosmëri i themi JO DHUNËS, qoftë kur vjen nga protestuesit e qoftë kur është shprehje arbitrare e institucioneve”.

Deklaratë e Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë

Ipeshkvijtë kujtojnë se në të dy “kampet” palët e përfshira në konflikt, protestuesit dhe punonjësit e policisë, janë njerëz, etër, bij e pjesë e familjeve të thjeshta shqiptare.

“Ne, duke u bazuar në doktrinën shoqërore të Kishës dhe në traditën e Kishës Katolike në Shqipëri, do të jemi gjithmonë në anën e njerëzve të thjeshtë dhe të jetës së përditshme që duan të jetojnë të qetë, të çliruar nga sundimi i dhunës, i korrupsionit, i kriminalitetit, i papunësisë e i detyrimit të largimit nga vendi për kushte më të mira. Këto janë problemet e mëdha që pozita dhe opozita duhet të diskutojnë së bashku për të gjetur zgjidhjet e duhura duke kërkuar të mirën e përbashkët që ka përparësi mbi të mirën e partisë”

Deklaratë e Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë

Deklarata mbyllet me thirjen për të mos humbur më kohë, sidomos për zbatimin e reformës në drejtësi dhe për afrimin e vendit me Bashkimin Evropian.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN