Protestat e opozitës, ambasadori britanik mbi një orë në zyrën e Bashës

Një ditë pas marshimit protestë të opozitës, ambasadori britanik, Duncan Norman, vizitoi selinë blu, ku u prit nga kryedemokrati Lulzim Basha.

Takimi mes tyre zgjati për rreth 1 orë e 20 minuta dhe në fokus ishte situata politike si dhe aksioni opozitar i javëve të fundit.

Ambasada Britanike ishte pjesë e disa selive diplomatike që reaguan të hënën, duke bërë thirrje të shmangej dhuna në protesta.

Pjesë e këtij mesazhi të përcjellë edhe nga britanikët ishte thirrja për të zgjidhur krizën politike vetëm përmes dialogut me mazhorancën.

A2CNN ka mësuar se gjatë javës pritet që selinë blu ta vizitojnë edhe përfaqësues të tjerë të shërbimeve diplomatike të akredituara në Tiranë. Ishte njoftuar se pas takimit me ambasadorin britanik, kryedemokrati Basha do të zhvillonte edhe një bashkëbisedim me gazetar, por kjo u anulua në një moment të dytë.