Rama: Dako dhe Sejdini e kërkuan vetë të mos kandidohen

Edi Rama e tha për herë të parë se Vangjush Dako dhe Qazim Sejdini kishin kërkuar vetë të mos kandidoheshin në zgjedhjet lokale të 30 qershorit.

Ai tha se ata kishin 3 mandate dhe sigurisht që kishte nevojë për energji të reja. Edhe njëherë tjetër, Rama u shpreh se Dako nuk ka dalë ndonjë përgjim, por theksoi kanë dalë disa përgjime në thyerje të sekretit hetimor për një grup kriminal.

“Nuk më rezulton të ketë dalë ndonjë përgjim për Vangjush Dakon. Mua më rezulton se kanë dalë disa përgjime në thyerje të sekretit hetimor për një grup kriminal dhe mes atyre përgjimeve ka një apo dy referenca dhe një a dy komunikime që nuk tregojnë asgjë për Dakon. Çuditërisht, përsëri, mes detyrimit karshi opinionit publik për t’i dhënë çdo informacion, nëse del sekreti hetimor nuk është përgjegjësi e gazetarëve, ama detyrimi është për të ndarë qartë spektaklin dhe informacionin. Më detyroni të kthehem përsëri te përgjimet që ishin një kazan i madh mes disa horrave, për të cilët u kërkua për 24 orë burgosja e Saimir Tahirit. Por mirë, nuk u nxor asnjë mësim? Një mësim duhet nxjerr besoj. AshtU si kundër e ka nxjerr mësimin jurisprudenca që nuk e konsideron provë një përgjim direkt ku thuhen të gjitha të zezat dhe jo më një muhabet në një komunikim telefonik.

Zëvendësimi i Dakos apo i Sejdinit në Elbasan, jeni të lirë ta besoni ose jo, është kërkesë e tyre prej kohësh. 3 mandate 12 vjet, në krye të dy qyteteve të rëndësishme, janë shumë, jashtëzakonisht shumë. Është konsum i madh dhe nevoja për energji të reja është evidente”, tha Rama.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN