Trump mbështet Orban, mbron politikat e tij kundër emigracionit

Ndërsa Bashkimi Europian po sulmon gjithnjë e më shumë politikat e tij nacionaliste, presidenti i Hungarisë Viktor Orban gjen mbështetje te Shtetet e Bashkuara.

Presidenti amerikan, Donald Trump, priti në Shtëpinë e Bardhë, liderin hungarez i vënë në shënjestër të kritikave të Brukselit dhe grupeve ndërkombëtare, për të dhënat negative të të drejtave të njeriut e demokracisë në vendin e tij.

Por numri një i Uashingtonit i përshëndeti politikat e linjës së ashpër kundër emigracionit, duke thënë se Orban ka bërë gjënë e duhur.

“E di që është një njeri i ashpër, por shumë i respektuar. Ai ka bërë gjënë e duhur lidhur me emigracionin. Disa nga problemet e tmerrshme që ka sot Europa, lidhen me faktin se shumë shtete kanë vepruar ndryshe nga kryeministri Orban”, tha Trump.

I ulur pranë presidentit Trump, Orban u tha gazetarëve se Hungaria është “krenare të qëndrojë me Shtetet e Bashkuara në luftën kundër emigracionit të paligjshëm”.

Të premten, një grup senatorësh amerikanë dhe anëtarë të Komitetit të Marrëdhënieve me Jashtë i shkruan një letër Presidentit Trump, duke i kërkuar atij të diskutojë për shqetësimin rreth “rënies së treguesve demokratikë” të Hungarisë, por Shtëpia e Bardhë refuzoi t’i përgjigjej letrës.

Shkarkoni aplikacionin e A2