Trupi i major Tanushit mbërrin të mërkurën në Rinas

Trupi i pajetë i major Klodian Tanushit, që mbeti i vrarë gjatë një shpërthimi në Letoni, do të mbërrijë në Rinas mesditën e së mërkurës, ndërsa të enjten do të zhvillohen edhe homazhet. Babai i 3 fëmijëve humbi jetën në spitalin e kampit Adazi, 4 ditë pasi mbeti i plagosur rëndë, teksa po çmontonte predha bashkë me Klodian Kapajn, i cili për fat të mirë është jashtë rrezikut për jetën dhe Zarife Hasanajn, e cila gjithashtu humbi jetën po atë ditë, në 6 maj.

Dëshmorja e Atdheut përfaqësonte Shqipërinë në urimin e NATO-s, në ditën ndërkombëtare të gruas, video kjo e publikuar para 2 muajsh. Në ambasadat shqiptare në SHBA, Kanada, Turqi, etj., me dhjetëra ushtarakë kanë lënë përshtypjet në librin e ngushëllimeve, për 2 efektivët shqiptarë që humbën jetën.

Ndërkaq, në kampin Adazi, nga 13 deri në 17 maj, po zhvillohet trajnimi ushtarak “Lobo Patroll”, ku po marrin pjesë 80 ushtarë, ndërsa qëllimi është vendosmëria e aleancës së NATO-s për t’u mbrojtur kundër çdo forme agresioni.

Dy Dëshmorët e Atdheut, Hasanaj dhe Tanushi, humbën jetën teksa përgatiteshin pikërisht për këtë stërvitje, ndërsa zyrtarët e ushtrisë letoneze e kanë përjashtuar mundësinë e një sulmi dhe po hetojnë mbi pistën e një ngjarje aksidentale.