Vidhnin banesa në Francë, arrestohen “skifterët” shqiptarë

8 persona janë arrestuar në një operacion të përbashkët të Policisë shqiptare dhe asaj franceze, të zhvilluar njëkohësisht në të dy vendet.

5 prej tyre u arrestuan në Francë, ndërsa 3 të tjerë në Shqipëri. Ata ishin të gjithë pjesë  enjë grupi të strukturuar kriminal në fushën e vjedhjeve të banesave dhe lokaleve.

4 persona u arrestuan gjatë operacionit të zhvilluar në Francë, ku u kryen edhe dhjetëra kontrolle banesash, ku morën pjesë rreth 40 xhandarë dhe policë francezë. 3 të tjerë u arrestuan në Shqipëri, ku morën pjesë rreth 50 punonjës të Policisë së Shtetit dhe Task – Forca “Anti – Skifter”. Personi i tetë është arrestuar dy ditë më vonë në Francë.

Operacioni i zhvilluar në Shqipëri. FOTO: Policia e Shtetit

Kontrollet e kryera bënë të mundur gjetjen dhe sekuestrimin në veçanti në Shqipëri, të disa objekteve të vjedhura në Lorraine, Francë, në fund të vitit 2018, duke përfshirë bizhuteri të identifikuara me ndihmën e hetuesve francezë. Pas marrjes nën hetim dhe arrestimit të tyre, të tre personat e ndaluar në Shqipëri, me vendim të Gjykatës së krimeve të Rënda të Tiranës u lanë me masë sigurie “burg pa afat”.

Identifikimi i grupit kriminal u bë i mundur pasi marrjes nën hetim të një familjeje me origjinë kosovare, e cila shërbente si pikë mbështetëse për keqbërësit.