26 vite pritje, Partizani rigjen rrugën e lavdisë

26 vite pritje për prekur sërish majën e futbollit shqiptar. Përmes dramave, rrezikut të shkrirjes dhe ringritjes. Si feniksi që krijohet sërish nga hiri. 2019 ishte pa diskutim viti i Partizanit. Titulli numër 16 kampion i Shqipërisë, i fituar si asnjëherë më parë në derbin ndaj Tiranës.

Diamant, i cili i shtohet kurorës së një prej emrave legjendar të futbollit shqiptar dhe një prej klubeve që ka fituar më tepër trofe në vend. Përpos titujve dhe 15 kupave, të kuqtë janë edhe skuadra e vetme në vend, që ka në muze titullin kampion ballkanik, pas finales historike të fituar ndaj bullgarëve të Stara Zagoras në vitin 1970.

Megjithatë, zanafilla e “Demave të Kuq” është edhe më e hershme, sepse 72 vite më parë dhe në të parin debutim të partizanit në elitën e futbollit shqiptar dhe një vit pas themelimit, të kuqtë u shpallën kampionë në tre sezone radhazi. Në vitin 1947, u regjistrua edhe fitorja e parë në derbi, e cila u pasua nga rezultati historik 8-0. Rekord ende i pathyer.

Vitet ‘50-‘60 ishin periudha më e suksesshme e klubit kryeqytetas me në krye dy trajner të mëdhenj si Rexhep Spahiu dhe Loro Boriçi teksa Partizanin fitoi plot 7 tituj të tjerë kampionë. Me një plejadë të artë lojtarësh si Refik Resmja, Sulejman Maliqati, Fatbardh Deliallisi, e shumë të tjerë me në krye të madhin e të mëdhenjve, Panajot Pano, ylli i kuq i Partizanit frikësonte çdo kundërshtar dhe kjo vazhdoi për vite duke i lënë stafetën brezave të tjerë. Por me fillimin e viteve ‘70 deri në fundin e viteve ‘80 të kuqtë e lavdishëm humbën shkëlqimin e dikurshëm dhe këtë e treguan rezultatet: vetëm 4 tituj në 18 vite, për t’u rikthyer te kurora në 1993-shin, që ishte edhe titulli i fundit.

Një periudhë e largët, e cila kujtohej me nostalgji. Kryeqytetasit përjetuan periudhën më të errët në sezonet 2008-2009 dhe 2012-2013. Por, për t’u ngritur në majë, shpeshherë duhet të prekësh fundin. Ringritja e pritur nuk mungoi, me demat që nisin një epokë të re, tashmë jo më për mbijetesë por për t’u rikthyer te titulli.

Tri javë përpara mbylljes së kampionatit, Partizani u ngjit në fron. Festa ishte vetëm çështje kohe, pas një sezoni të dominuar plotësisht, ku të kuqtë qëndruan në pjesën më të madhe në krye të renditjes. Partizani ka gati një tjetër festë të madhe për të rikthyer tek tifozët e saj emocionet e papërshkrueshme që vetëm skuadra e zemrës me titullin në duar mund të ta dhurojë.