Dy skuadra franceze, tifo për Chelsea-n në finalen e Europa League

E pabesueshme, por e vërtetë. Në rast se Chelsea do të triumfojë në finalen e 29 majit të Europa League, ku do të luajë në Baku përballë Arsenalit, të fituar do të jenë edhe francezët.

Blutë e Londrës e kanë siguruar biletën në edicionin e ardhshëm të Champions-it nga kampionati dhe bileta, që i garanton fituesit të Europa League një vend në turneun më prestigjioz për klube, do t’i jepet ekipit të vendit të tretë në Ligue 1.

Gjithçka lidhet me koeficientin e UEFA-s për ligat europiane, ku kampionati francez pozicionohet i pesti. Në këtë mënyrë, Lyon dhe Saint-Étienne, të cilat garojnë për vendin e tretë bëjnë tifo për Chelsea-n.

Në anën tjetër, Arsenalit nuk i mbetet veçse ta fitojë trofeun, për të siguruar pjesëmarrjen në Champions. Fitorja e “Topçinjve” do t’i lejonte Anglisë të përfaqësohej me pesë skuadra në edicionin e ardhshëm.