Festivali i filmit në Kanë, yjet e kinemasë gati për 11 ditë garë e festë

Rikthime të jashtëzakonshme në Kanë, nga Bill Murray, Elton John, regjisori Quentin Tarantino, i cili konkurron me “Once Upon a Time in Hollywood” me aktorë protagonist Brad Pitt, Leonardo Di Caprio dhe Margot Robbie. Në 11 ditë feste dhe konkursi, starton zyrtarisht sonte në mbrëmje Edicioni i 72-të i festivalit të filmit në kanë.

Me magjinë dhe sharmin që ofron, Kana ka mirëpritur prej ditësh yjet më të mëdhenjtë showbiz-it botëror, të cilët kanë parakaluar mbi tapetin e kuq. Lista e të ftuarve quhet lista A, pasi sipas organizatorëve ajka e ajkës së Hollywood është bërë bashkë këtë vit në qytetin e vogël francez. Përveç Tarantinos, që është cilësuar si një nga favoritët për të fituar “Palmën e Artë”, 2019, në garë janë edhe regjisori spanjoll Pedro Almodóvar, që konkurron me filmin “Pain and Glory”, që ribashkon aktorët Penelope Cruz dhe Antonio Banderas.

Regjisori britanik, 82-vjeçari Ken Loach, i cili rrëmbeu Palmën e artë në 2016, rikthehet me “Sorry We Missed You”.

Favorit mbetet edhe “Roma” i Alfonso Cuaron, i cili fitoi edhe Çmimin “Oscar” si regjisori më i mirë. Në garë për “Palmën e Artë” janë 21 prodhime kinematografike. Chopard është kujdesur edhe këtë vit për të krijuar statujën 18 karat të Palmës së Artë, në vlerën e20 mijë eurove. 40 mijë persona janë akredituar si pjesë e festivalit, duke nisur nga të ftuarit, stafet e tyre ndërsa 4500 janë gazetarë që do të ndjekin nga afër 11 ditët e festivalit ndërsa në terren janë angazhuar 22 mijë policë dhe ushtarakë. Festivali i filmit në Kanë, që zyrtarizon fituesin më 25 maj, kushton plot 22 milionë dollarë, gjysma prej të cilave vijnë nga buxheti i shtetit ndërsa gjysma tjetër nga sponsorët privatë.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN