Në Itali, Taren e çojnë te Milani…

Mediat në Itali dhe konkretisht “Calciomercato” ka shkruar ditën e sotme se Igli Tare mund të përfundojë te Milani në rast të një lamtumire të mundshme në fund të sezonit të brazilianit Leonardo.

“Calciomercato” shkruan se Leonardo mund ta “paguajë” me shkarkim një sezon, i cili është duke shkuar drejt dështimit për Milanin. Kuqezinjtë u eliminuan nga Europa League herët këtë sezon, po ashtu nuk mundën të arrinin më shumë se gjysmëfinalja e Kupës, ndërsa në kampionat vendi i katërt është në diskutim të madh dhe shpresat janë te ndalja e Atalanta-s në 2 ndeshjet e fundit.

Fondi Elliot ka mbetur i zhgënjyer nga transferimet e bëra, me një pjesë të madhe të lojtarëve që nuk kanë arritur pritshmëritë me bluzën e Milanit dhe në këtë situatë gishti është drejtuar nga Leonardo.

“Calciomercato” shkon edhe më tej duke gjetur edhe zëvendësuesin e brazilianit dhe ai është shqiptari Igli Tare. Drejtori Sportiv i Lazio-s ka një marrëdhënie të mirë ndër vite me Lotiton, por vitin e fundit problemet për të nuk kanë qenë të pakta te Lazio.

Një ndeshje vendimtare për të ardhmen e Tares mund të jetë edhe ajo e mbrëmjes së sotme ku Lazio do të presë në “Olimpico” Atalanta-n në finalen e Kupës së Italisë.