Opozita në protestë më 25 maj. Basha: Që sot përditë bashkë me qytetarët

Opozita do të zhvillojë një tjetër protestë kombëtare më 25 maj.

Data është vendosur pas takimeve që lideri i Partisë Demokratike Lulzim Basha kreu me partitë aleate, kryetarët e degëve dhe ish grupin parlamentar të partisë.  

Sipas burimeve, aleatët kanë qenë dakord në vijimin  e protestave deri në plotësimin e kërkesave të tyre, që përfshijnë largimin e kryeministrit Edi Rama, krijimin e  një qeverie transitore dhe mundësimin e zgjedhjeve të parakohshme.

Në dalje të takimit, Basha deklaroi që “Parlamenti është produkt i votës te diktuar nga krimi, jemi në kushtet e grushtit të shtetit. Në vend që t’i hapë rrugë qeverisë transitore, Rama ka ndjekur një kurs për përballje me popullin, duke vënë në lista kriminelë dhe vrasës në partinë e tij dhe në partitë e krijuar nga ai”.  

Basha konfirmoi që zgjedhje “nuk do të ketë politikisht por edhe formalisht”, për mungesën e infrastrukturës dhe mungesave në gjendjen civile.

“Jemi në një betejë për jetë a vdekje. Do të ketë një plan të tillë kriminal që ka vënë në lëvizjes Rama ose do të ketë një fitore të demokracisë dhe lirisë që do i hapë rrugë zgjedhjeve të ndershme”, vijoi Basha.

Sipas tij, opozita në këto kushte ka vendosur  “që qysh nga ky moment ne do të jemi përditë bashkë me qytetarët në një përballje pa kthim me shërbëtorët e juntës, derisa të rikthehen zgjedhjet e ndershme”.

Duke pohuar që protesta kombëtare e radhës do të zhvillohet më 25 maj, Basha përsëriti faktin që “kurrë nuk kemi bërë thirrje për dhunë dhe distancohemi prej saj” edhe pse modaliteti nuk mund të përcaktohet sepse  “komandanti i zemërimit kombëtar” nuk është ai, por populli.  

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN