Tre javë grumbullim për kombëtaren, mes Shqipërisë, Gjermanisë dhe Islandës

Një trajner, i cili ende nuk është prezantuar me skuadrën dhe që pjesën më të madhe të lojtarëve i njeh vetëm në distancë apo nga pamjet video.

Edy Reja nuk dëshiron të humbasë më kohë dhe pasi ka nisur takimet me individë të veçantë, ka planifikuar një grumbullim të pazakontë, në fund të këtij sezoni futbollistik. Drejtuesi i stolit ka kërkuar të punojë sa më tepër me ekipin kuqezi, në kuadër të ndeshjes kualifikuese të 8 qershorit ndaj Islandës në Reykjavik.

Thuajse tre javë grumbullim, ku të parët që do të paraqiten, janë lojtarët të cilët kanë përfunduar angazhimet me klubet e tyre. Stërvitja do të nisë me 9 futbollistë: nga senatorët Mavraj, Abrashi, Basha dhe Grezda, për të vijuar me Kaçen e Mihajn, por edhe dy lojtarët e Serisë B italiane, nga dy protagonistët Dermaku e Ndoj, për të vijuar me talentin Kumbulla.

Përgatitjet e skuadrës do të nisin në datën 20 maj, në rezidencën e zakonshme të Kombëtares, hotelin “Tropikal” në Durrës. Me këta nëntë lojtarë, trajneri Reja do të punojë një javë, deri më 26 maj, ndërsa më pas pritet të ketë në dispozicion 80 përqind të grupit.

Kuqezinjtë do të qëndrojnë aty deri më 2 qershor, ku më 2 qershor, grupi i plotë do të udhëtojë drejt Frankfurtit, për të vijuar grumbullimin në Gjermani deri më 6 qershor. Trajneri ka zgjedhur që Shqipëria të grumbullohet dy ditë edhe në Reykjavik, për t’i dhënë mundësi lojtarëve të ambientohen me kushtet atmosferike në Islandë, përpara ndeshjes së 8 qershorit, ku një rezultat pozitiv në transfertën e vështirë, do të rindizte shpresat në garën drejt Euro 2020.

Grumbullimi prej datës 20 maj

  1. Kastriot Dermaku (Cosenza)
  2. Enea Mihaj (Panetolikos)
  3. Marash Kumbulla (Hellas Verona)
  4. Mërgim Mavraj (Ingolstadt)
  5. Ergys Kaçe (Panathinaikos)
  6. Amir Abrashi (Freiburg)
  7. Migjen Basha (Aris)
  8. Emanuele Ndoj (Brescia)
  9. Eros Grezda (Rangers)

Grumbullimi i Kombëtares
20 maj – 2 qershor Durrës
2 qershor – 6 qershor Frankfurt
6 qershor – 7 qershor Reykjavík
8 qershor ndeshja Islandë-Shqipëri