Akuzat e Arben Malajt, Veliaj tregon çfarë i kërkoi ish-ministri që ai nuk ia plotësoi dot

I intervistuar nga A2 CNN, Veliaj i përgjigjet akuzave që pak ditë më parë po në të njëjtin ekran një eksponent historik i Partisë Socialiste dhe anëtar i Bordit mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë si Arben Malaj i kishte drejtuar në mënyrë direkte. Aq më shumë që ai ka qenë këshilltar i tij.

Këtu Veliaj ka nevojë të japë një versionin e tij. “Të sqarojmë një gjë, nuk ka qenë këshilltar në bashki. Zoti Civici është këshilltar i Këshillit Bashkiak, zoti Malaj s’ka qenë këshilltar i Këshillit Bashkiak. Kur ka qenë rektor i një universiteti privat, janë organizuar disa forume por në bordero të kësaj bashkie nuk ka qenë. Është një legjendë urbane, nuk e di kush e përhap”, thotë Veliaj.

Po si e shpjegon ai ashpërsinë e kritikave të ekonomistit? “Unë besoj që njerëzit që kanë alternativa më të mira duhet t’i paraqesin ato, mund të kandidonte”. Por menjëherë shton se “një gjë ia kam bërë të qartë edhe zotit Malaj, por edhe shumë të tjerëve, unë nuk pranoj gjoba”.

Një fjali që nuk mund të mbesë pa detaje të mëtejshme. “Ia kam bërë të qartë zotit Arben Malaj edhe zotit Basri Malaj, nuk marrin dot leje në Mjull-Bathore në tokë të gjelbër, në tokë ullishte, në tokë që nuk është truall, në tokë bujqësore ku nuk ndërtohet, duke më vënë gjoba në televizor”, thotë kryebashkiaku, jo pak i acaruar.  

Dhe ka një këshillë, të hidhur, për ish kolegun në PS.  “Më vjen keq që abuzon me rolin e tij në bordin e bankës duke u marrë tërë ditën me politikë kundër Kryetarit të Bashkisë. Të japë dorëheqjen, të kandidojë për kryetar bashkie, T’ia japë vetë lejen vëllait të vet por unë nuk kam ndërmend as të shkoj në burg, as nuk kam ndërmend të shkel ligjin”.