Çelja e negociatave, Hahn: Një pamje flet më shumë së njëmijë fjalë

Në një intervistë për Deutsche Welle, Komisionieri Europian për Politikat e Fqinjësisë së Mirë dhe Negociatat për Zgjerim, Johannes Hahn, tha se imazhi që ka ofruar Shqipëria ka ndikim të madh te vendimmarrësit e Bashkimit Europian.

“Këta janë përfaqësuesit e popullit dhe qytetari i thjeshtë që shikon pamjet e transmetuara në televizion e ka të vështirë ta kuptojë kur dëgjon se ky vend na qenka gati për të filluar bisedimet e anëtarësimit në BE. Pra, edhe një herë apeli im për përgjegjësit është që të jenë të vetëdijshëm për këtë situatë dhe se dihet që një pamje flet më shumë se njëmijë fjalë”, tha Hahn. “Është detyrë e qeverisë që t’i afrohet opozitës dhe detyrë e opozitës që të vetëpërfshihet në mënyrë konstruktive, kritike por edhe të angazhuar”, shtoi Komisionieri.

Zyrtari europian shprehu mendimin se sipas tij negociatat duhet të nisin me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, por nuk përjashtoi mundësinë që për shkak të krizës politike në vendin tonë, të dy shtetet të trajtohen të ndarë.

“Synimi im është që të dy këto vende të trajtohen njëherazi, sepse edhe raportet do të vendosen njëherazi. Por unë nuk mund ta parashikoj se si do të vendosin vendet anëtare. Fakt është se Maqedonia e Veriut ka kontribuar shumë dhe konkretisht, jo vetëm në kuadër të kërkesave tona, por edhe duke kapërcyer grindjen për çështjen e emrit, por edhe me kapërcimin e konfliktit dypalësh me Bullgarinë, Maqedonia e Veriut ka krijuar kushtet që të jetë papritmas i vetmi vend në rajon, që nuk ka asnjë konflikt me fqinjët”, tha Hahn.

“Negociatat e zgjerimit janë një proces që bazohen në meritat dhe arritjet e secilit vend. Do të ishte e padrejtë, nëse një vend do të priste, sepse një vend tjetër nuk arrin rezultate. Kjo vlen në parim. Natyrisht, do të ishte ideale nëse të gjashta vendet do të hynin së bashku. Por kjo nuk është realiste. Por është e padrejtë ndaj atyre që janë angazhuar më shumë, që kanë arritur të gjejnë zgjidhje, që janë të aftë për kompromise, që janë në gjendje të sjellin rezultate. Këta nuk duhet të dënohen tani meqë janë më mirë se të tjerët”.

Shkarkoni aplikacionin e A2