Hahn: Mjafton drejtimi i BE-së për negociatat mes Kosovës dhe Serbisë

Komisioneri për Zgjerim të BE-së, Johannes Hahn, gjatë një interviste për Deutsche Welle-n, paralajmëroi rifillimin e bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë, të cilat janë ndërprerë prej disa muajsh.

Sipas Hahn, perspektiva evropiane është ajo që do të detyrojë Serbinë dhe Kosovën të rifillojnë bisedimet për të shkuar drejt një marrëveshje. Hahn beson se çelja e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut do krijonte besueshmëri dhe do të ishte një joshje e mirë për palën kosovare dhe atë serbe që të uleshin në tryezën e negociatave.

Komisioneri për Zgjerim shtoi se bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë pritet të jenë të vështira. “Marrëveshja që do të duhet të arrijnë ata nuk do të pritet me duartrokitje në asnjë vend. Kërkon guxim dhe kurajë nga aktorët veprues që të ulen në një tryezë dhe të hartojnë një kompromis, i cili do të kërkojë lëshime nga të dyja palët për të arritur në një rezultat përfundimtar”, tha Hahn.

I pyetur nëse mendon se pa ndihmën e SHBA negociatat mes Kosovës dhe Serbisë nuk do të jenë të suksesshme, komisioneri Hahn tha se mbështetja e Shteteve të Bashkuara është e rëndësishme, por struktura aktuale e bisedimeve, nën drejtimin e përfaqësues së lartë të BE-së, Mogherini është e mjaftueshme.

Në fund të intervistës, Komisioneri për Zgjerim, Hahn foli dhe për idenë e ndryshimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë.

“E sqarova menjëherë se zgjidhja që do të vijë në fund të ditës nuk duhet të jetë në kosto të të tretëve. Tani është ende herët të flitet për zgjidhjet që vijnë në pyetje sepse marrëveshja që do të arrihet mes dy vendeve do të jetë gjithëpërfshirëse. Një vend qendror në marrëveshje do ta zërë çështja e pakicave, sepse ka shumë serbë në të gjithë territorin e Kosovës” u shpreh komisioneri Hahn.

Shkarkoni aplikacionin e A2