“Notre Dame të kthehet në pishinë!”

Arkitektura e stilit gotik është shumë e vjetruar… Të paktën kështu mendon firma franceze që ka propozuar një projekt për të shndërruar çatinë e Katedrales së “Notre Dame” në një serrë gjigante.

Por ky nuk është i vetmi projekt i propozuar për ndërtimin e Katedrales së “Notre Dame”. Studio nga e gjithë bota kanë publikuar projektet arkitekturore për ndërtimin e Katedrales, nga të cilat ka edhe nga ata që janë vërtetë të çuditshëm.

Franca është përfshirë momentalisht nga një debat për mënyrën se si duhet rindërtuar katedralja pasi u dogj pjesërisht më 15 prill. Sipas firmës “NAB”, silueta e godinës nuk do të ndryshonte, por vetëm qëllimi i saj do të ishte më modern dhe më “ambientalist”.

Projekti më i çuditshëm mund të cilësohet ai i studios suedeze “Ulf Mejergren”, që synon ta shndërrojë katedralen në një pishinë gjigante.

Po ashtu, mund të vlerësohet edhe projekti i një arkitekti slloven, i cili ka hedhur idenë që kisha të “arrijë qiellin” me një projekt të ngjashëm me direkun e një anije.

Kostot e riparimit të katedrales mendohet se do të kalojnë 1 miliardë dollarë dhe për këtë qëllim është çelur edhe një konkurs ku janë ftuar firma arkitekturore nga e gjithë bota. Deri tani, më shumë se 835 milionë dollarë janë mbledhur në fonde të dhuruara nga miliarderë të ndryshëm, por edhe fëmijë.

Presidenti Emmanuel Macron u zotua që “Notre Dame” do të rindërtohet për 5 vite, ndërsa arkitektët mendojnë se do të duhen dekada për të rikthyer siç ishte një prej monumenteve më të rëndësishme të Parisit, që vizitohet çdo vit nga 13 milionë njerëz.

Shkarkoni aplikacionin e A2