Sulmoi policinë me “Molotov”, ndalohet një nga të dyshuarit kryesorë

Policia e Shtetit njofton se ka ndaluar një 40 vjeçar nga Tropoja për aktet e dhunës gjatë protestës së opozitës më 11 maj. Sipas uniformave blu 40 vjeçari M.Q. është një nga të dyshuarit kryesor që ka sulmuar me bomba “Molotov”, mjete piroteknike dhe sende të forta efektivët e policisë dhe institucionet shtetërore. Ndalimi i tij u bë në bazë të pamjeve filmike dhe raporteve të shërbimit.

40 vjeçari M. Q. akuzohet për “Organizim dhe pjesëmarrje në grumbullime të paligjshme”, “Kundërshtim i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Goditje për shkak të detyrës”, “Shkatërrim i pronës me zjarr” dhe “Shkelje e rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive”.

Gjatë protestës së opozitës më 11 maj mbetën të plagosur 16 punonjës policie nga sendet e forta dhe bombat “Molotov”.

Policia e Shtetit bën me dije se po vijon punën për kapjen e personave të tjerë të përfshirë në aktet e dhunës gjatë protestave.