Veliaj në A2 CNN: Kullat, lejet e ndërtimit, premtimet e mbajtura dhe ato të mbetura

Erjon Veliaj është kryebashkiaku i një qyteti që shifrat jo zyrtare e projektojnë përtej një milionë banorë. I ftuar në A2 CNN, ai tregon sfidat e menaxhimit të një sipërmarrje të tillë, me premtime të mbajtura që shpesh herë harrohen nga ato që nuk mbahen dot, nga një trashëgimi e vështirë por edhe nga interesa ekonomike të mëdha, që shkojnë përtej bashkisë.

Ndërtimi është motori kryesor i këtyre interesave. Sipas kryebashkiakut, ky sektor i siguron Bashkisë të paktën 1/3 e buxhetit,  falë  faktit që Bashkia ka “10-fishuar taksën për ata që i quajnë oligarkë, se oligarkët me llafe nuk është se i dëmton shumë, oligarkët i dëmton kur i prek xhepin”.

Viti i fundit ka shënuar 388 leje ndërtimi, një rekord që Veliaj justifikon me fatin që “kishte 4 vjet që nuk punohej kështu që duhet që të rikuperojmë kohën e humbur”, por edhe nga nevoja demografike e kryeqytetit, ku çdo vit rreth 25 mijë persona zgjedhin të banojnë.

“Bashkia mban një ritëm të 4-5 mijë apartamenteve të reja në vit, besoj është një ritëm i shëndetshëm”, thotë Veliaj.  

Shumë vinë për të jetuar, por shumë të tjerë, nga e gjithë bota, edhe për të vizituar. “ Kemi patur 600 mijë të tillë, vitin e kaluar”, thotë kryebashkiaku aktual dhe kandidati i PS edhe në zgjedhjet e ardhshme vendore.

Një interes i tillë justifikon sipas tij nevojën për ndërtimin e kullave në qendër, të cilave po i interesohen kompanitë më të famshme të hotelerisë. “Kemi disa hotele që janë me 5 yje, pra kemi një hotel Mariott që tashmë ka bërë një marrëveshje me kullën që është tek stadiumi Qemal Stafa, kemi hotelet Melia  për pjesën tjetër përballë sheshit “Skënderbej”, jemi në diskutim me “Swiss Hotel” dhe “Fairmont” me në zonën pas Bashkisë”, detajon ai, dhe analizave sipas të cilave ato do të mbeten bosh  i tregon shembullin e përsëritur të “ 3 autobusëve me kinez që mbushin Hotel Tiranën”.

Veliaj ka premtuar shumë, gjatë fushatës së tij. Disa janë të vështirë të mbahen, ose duan kohë.

Ujësjellësi, për shembull. “Kur e mora Tiranën në vitin 2015 ishte 7 orë ujë mesatarja në ditë, sot jemi me 14 -15 orë ujë. Dyfishimi është sukses, por arsyeja pse ky dyfishim do të kërkojë edhe investime në rrjet është sepse rrjeti i shpërndarjes kapilare, që është stacioni i tretë nga filtrimi deri te çezma jote është si kulluese makaronash”. Sipas tij, problemi primar i përditshmërisë të kryeqytetasve do të zgjidhet është 5-vjecari 2019-2024.

Lavdëron shërbimin publik, por vëren se me bllokimet e fundit “kush ka përdorur autobus këto 3 muaj, e ka kuptuar që në varësi se kur ia pret mendja për protestë, bllokohet një herë unaza, njëherë Tirana e Re, njëherë Kinostudio – Kombinat, në varësi ku shkon ekskursioni i dhunës”.

Një kapitull, ai i Astirit dhe protestës të banorëve, ku ai duket i qartë. “Kush ka bërë shtëpi pa leje, 28-30 vjet i ka rënë qylit, ne po të japim një shtëpi tjetër, por ti nuk mund të thuash nuk do bëhet ky qytet, se kjo është tokë e xanun. E zure, duhet të ishe në burg, por ky është vend që edhe toleron, kjo është kjo bashki që ka solidaritet dhe dashamirësi, dhe po të jep një shtëpi. Por ti s’mund t’i thuash Tiranës që s’do zhvillohet, që s’do bëjmë rrugë dhe bulevard”, thotë ai.  

Shkarkoni aplikacionin e A2