Veliaj: S’di pse u tërhoq Kokëdhima, Arben Skënderin e pres në debat

Nga dita e hënë, Veliaj ka zyrtarizuar kandidimin e tij  për një mandat të dytë në Bashkinë e Tiranës.

Por a do të mbahen zgjedhjet në 30 qershor? “Unë jam i bindur që në datë 30 qershor do të ketë të majtë edhe të djathtë, edhe i djathti do që fëmija të shkojë në kopsht, t’i mbarojë shkolla”.

Zgjedhjet, edhe po u zhvilluan, do ta shohin atë praktikisht të sigurt për fitoren, me mungesën e kandidatit të koalicionit opozitar. Do t’i shijojë gara?

Veliaj nuk e sheh si problem. “Po nuk kam garë me ta, e kam thënë këtë përpara këtyre muhabeteve të mospjesëmarrjes në zgjedhje. E kam thënë që ne garën e kemi me veten. Unë dua që kjo bashki në katër vitet e ardhshme të performojë më mirë se katër vitet e kaluara”, thotë.

Një kandidat demokrat gjithsesi ekziston, dhe është ai i Bindjes Demokratike. Veliaj ka fjalë të mira.  “Arben Skënderi, e njoh, është artist, ka qenë staf i kësaj bashkie. Ndoshta një nga njerëzit më të saktë. Kur ishim në opozitë, ishte një nga njerëzit më civil, më qytetar. Unë besoj që i bën nder kujtdo partie kur sjell një ofertë qytetare”.

Pra është Skënderi një sfidant i denjë? “Çdo njeri futet në garë për të fituar. I kam shtrirë dorën për një garë qytetare të cilën zoti Skënderi e reciprokoi”, thotë Veliaj.

Një tjetër kandidat, nga e majta, ndërkohë është tërhequr. “Kokëdhima? Se kam idenë fare pse është tërhequr. Me sa duket hoqi dorë nga shkatërrimi dhe vendosi të bëhet konstruktiv”.