Bindja Demokratike i trembet marrëveshjes Rama-Basha: Ndërkombëtarët të ndërhyjnë

Bindja Demokratike i bëri thirrje institucioneve shqiptare dhe faktorit ndërkombëtar të ndërhyjnë për të mos lejuar asnjë marrëveshje Rama-Basha për zgjedhjet.

Një nga themeluesit e Bindjes Demokratike, Fabian Topollaj tha se një marrëveshje okulte do të shkatërronte procesin zgjedhor në Shqipëri.

“Bindja Demokratike dhe të gjitha subjektet e tjera që garojnë këtë radhë në zgjedhje janë ngritur në këmbë, jo thjesht për hatër të garës, por më shumë në mbrojtje të demokracisë. Sa herë që në Shqipëri ka patur parregullsi, sidomos në vitet e fundit, komisonerët e Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste kanë qenë pjesë e mekanizmit që kanë prishur dhe manipuluar zgjedhjet në këtë vend. Në raport me zgjedhjet, Partia Demokratike dhe Partia Socialiste formojnë në mënyrë permanente koalicionin e së keqes. Ndaj çdo mundësi që ata të bëjnë një tjetër marrëveshje okulte ndërmjet tyre do të ishte në dëm të interesave të vendit.

Bindja Demokratike fton institucionet përgjegjëse dhe faktorin ndërkombëtar që ta ndalin sa më shpejt këtë provokim të rëndë ndaj procesit zgjedhor të 30 qershorit sepse çdo vonesë do të inkurajonte ata që kanë si qëllim të vetëm prishjen e zgjedhjeve vendore në Shqipëri”, mbylli fjalën e tij anëtari i bordit drejtues të Bindjes Demokratike.

Shkarkoni aplikacionin e A2